Trajneri i Dinamos, Blendi Shkëmbi u shfaq i zhgënjyer për mënyrën si erdhi humbja në derbin ndaj partizanit dhe shprehu keqardhjen që të tijtë nuk shfrytëzuan rastet e krijuara. Tekniku i kryeqytetasve pranoi se skuadra ka nevojë për kohë, që të arrijë në nivelet e pritshmërive.
Çfarë nuk shkoi sot te skuadra, që pati mundësitë e saj, por i lejoi shumë kundërshtarit?
Është e vërtetë, pasi vazhdojmë të gabojmë dhe të vuajmë në çdo ndeshje. E nisëm mirë në pjesën e parë, por pas minutës së 20-ë kundërshtari na vuri në vështirësi dhe mund të na kishte ndëshkuar. Në pjesën e dytë loja ishte e barabartë dhe patëm raste të mira shënimi, por nuk ia dolëm dhe më pas pësuam, duke u rëndua edhe më shumë psikologjikisht. Po të shënonim, isha i bindur që do të kalonim këtë moment të vështirë, por nuk ia dolëm. \
Zëvendësimi i Skukës ishte zgjedhje e juaja, apo vendim i detyruar?
Jo, ishte zgjedhje e imja, pasi nuk po bënte atë që ne kishim përgatitur gjatë javës në stërvitje.
Pse ndodh që Dinamo pëson gjithmonë në momentin më të mirë të saj?
Sinqerisht do të doja të kishte një arsye, apo të gjenim një arsye. Na ka ndodhur shpesh që në momentet më të mira tonat, ne jo të pësojmë, por ta dhurojmë vetë golin, ndaj mendoj se ndoshta ndikon edhe gjendja psikologjike.
A ka grup te Dinamo?
Është një grup i fortë dhe nuk ka asnjë problem brenda skuadrës, por ndoshta duhet pak më shumë kohë që të arrijmë aty ku duhet dhe të dimë të përballojmë edhe momentet më të vështira.
Si dilet nga kjo situatë?
Në futboll gjërat zgjidhen ose me merkato, ose ikën trajneri. Janë edhe dy ndeshje, ku unë besoj që do të arrijmë të ndryshojmë diçka, pasi në skuadër ka burra dhe ka elementë për të nxjerrë skuadrën nga situate.
Sa lojtarë prisni në merkaton e janarit dhe a ka ndonjë emër>?
Nuk është momenti për të folur për merkaton dhe emrat, pasi kemi dy ndeshje shumë të vështira përpara dhe vetëm pas tyre do të mendojmë.
Top Channel