Nuk i ndalon policisë, makina me emigrantë përplaset në një shtëpi: 7 të vdekur

14/12/2021 15:19

Shtatë persona humbën jetën e katër të tjerë u plagosën pasi një makinë me targa serbe, në të cilën ndodheshin disa emigrantë u përplas në një shtëpi në Hungari.

Aksidenti ndodhi pasi drejtuesi i mjetit refuzoi të ndalonte për kontrollet rutinë të policisë, por u largua me shpejtësi.

Ai ishte përpjekur të shmangte verifikimin që forcat e rendit po i bënin automjeteve në fshatin, Morahalom, pranë kufirit me Serbinë dhe tentoi të shmangte patrullat.

Për shkak të shpejtësisë madhe, makina në të cilën ndodheshin 10 persona, u përplas me një banesë e u përmbys.

Vetë shoferi mbeti i plagosur në aksident, e është arrestuar ndërsa pritet që ndaj tij të nisin procedurat penale. Ai pritet të akuzohet për tregti të qenieve  njerëzore dhe për faktin se ka shkaktuar një aksident me pasojë vdekjen.

Në vitin 2015, në kulmin e krizës së refugjatëve, qeveria e kryeministrit hungarez, Viktor Orban, ndërtoi një barrierë të lartë në pikën kufitare me Serbinë ku kalonin me mijëra njerëz.

Javën e kaluar mbi 2,400 vetë u ndaluan në kufijtë e Hungarisë.

E ashtuquajtura, Rruga ballkanike, drejt shteteve më të pasura të Bashkimit Europian vazhdon të shfrytëzohet nga refugjatët dhe emigrantët që i largohen luftërave, vështirësive ekonomike apo përndjekjes në vendet e tyre.

Top Channel