Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i është përgjigjur kritikave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës rreth krizës energjetike, për çka tha se janë duke punuar që ta gjejnë zgjidhjen më të mirë që të ketë edhe furnizim të qëndrueshëm por edhe të zbusin krizën energjetike.

Ai tha se për këtë po punojnë bashkë me ministrat e linjës, KEK, KOSTT dhe ZRRE, derisa potencoi se çështjen e krizës energjetike e kanë adresuar edhe në mbledhjen e fundit të qeverisë.

Kurti tha se çmimet e energjisë elektrike në bursë janë shumëfishuar dhe nuk mund të ngelet as në Kosovë një situatë e favorshme.

“Rrjeti i shpërndarjes si dhe stabilimentet prodhuese në Kosovë edhe janë vjetërsuar e janë amortizuar, ndërkaq konsumi i energjisë është rritur. Ta zëmë sot në orën 9 në mëngjes kemi qenë duke provuar me kapacitet të plotë diku rreth 760 megavat, ndërkaq konsumi i energjisë në orën 9 të mëngjesit ka qenë 1 mijë e 113 megavat. Pra, konsumi është tejet i madh edhe për shkak të stinës së dimrit edhe për shkak se mënyra jonë edhe e punës edhe e banimit edhe e jetesës është e organizuar rreth ngrohjes përmes termoelektranave, por që besa edhe për shkak se energjia elektrike është lirë dhe konsumi është i kollajshëm. Tash kur kërkesa rritet e kapacitetet janë të brishta sigurisht që gjendja rëndohet, mirëpo bashkë me ministrat e linjës, KEK-un, me KOSTT-in, me ZRRE-në po punojmë që ta gjejmë zgjidhjen më të mirë, në mënyrë që edhe të kemi furnizim të qëndrueshëm, por në të njëjtën kohë edhe ta zbusim krizën në energjetikë në të cilën nuk ndodhemi vetëm ne”, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA