Hapet kardiokirurgjia në “Shefqet Ndroqi”, Manastirliu: Rriten që në vitin e parë me 30% ndërhyrjet kardiokirurgjikale falas

14/12/2021 13:09

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka inspektuar nga afër shërbimin e ri të Kardiokirurgjisë në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’, ku është hapur qendra e dytë e shërbimit të kardiokirurgjisë në vend.

“U arrit që të bëhej një realitet shërbimi i kardiokirurgjisë në spitalin “Shefqet Ndroqi”, duke plotësuar shërbimin në QSUT. Qytetarët do të kenë dy mundësi për të marrë shërbime, shërbime më të shpejta, më të mira, më cilësore. Dukej ëndërr dikur të hapej një shërbim i dytë kardiokirurgjie, por ja pra që u realizua me sukses”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se me hapjen e shërbimit të ri në spitalin “Shefqet Ndroqi” do të rriten që në vitin e parë deri në 30% ndërhyrjet kardiokirurgjikale.

“Ne tashmë përsa i përket ndërhyrjeve kardiokirurgjikale në QSUT kemi arritur në nivelet 770 deri në 800 në vit. Me këtë shërbim të ri do të kemi mundësi që të rrisim me rreth 30% në vitin e parë, në 12 muaj kalendarikë dhe më pas duke rritur me 50%. Sigurisht synojmë tek cilësia në raport me mbulimin dhe me të gjitha ato nevoja që ka popullata. Kemi një model shumë të mirë që tashmë është prej vitesh e vitesh në QSUT, i cili po transferohet nga pikëpamja e dijes, teknologjisë edhe këtu në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi”. Kemi nisur me hapa të vegjël por të sigurt edhe të qëndrueshëm. Pesë pacientët e parë tashmë janë operuar me sukses”, tha Manastirliu.

Prof. Rezar Deveja e ka konsideruar këtë shërbim të ri, me rëndësi të veçantë për pacientët e kardiokirurgjisë.

“Jemi të kënaqur që në këtë fundvit bëmë të mundur hapjen e shërbimit të dytë të kardiokirugjisë në Shqipëri. Qëllimi i këtij shërbimi është t’ju vijë në ndihmë pacientëve për shërbim sa më cilësor dhe në kohë”, theksoi prof. Deveja.

Shërbimi i ri kardiokirurgjisë në spitalin Shefqet Ndroqi, është investimi i buxhetit të shtetit në vlerën 86 milionë për rikontruksionin e plotë të sallës së re të operacionit, njësisë së veçantë të reanimacionit si dhe të gjithë pajisjet mjekësore të teknologjisë së fundit.

Hapja e këtij shërbimi i dyti në rang vendi në spitalet publike do të përmirësojë ndjeshëm në trajtimin cilësor dhe në kohë të pacientëve. Në këtë njësi të re të kardiokirurgjisë parashikohen të kryhen 400 ndërhyrje në vit.

Top Channel