Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka komentuar veprimin e deputetit socialist Bujar Çela, i cili uroi 28 Nnëtorin me foton e diktatorit Enver Hoxha.
Nikolla në fjalën e saj u shpreh se nuk beson se ka njeri që mundet të revokojë figurën e Hoxhës, pasi dihet se ai ka qenë një diktator. Ajo theksoi se veprimi i tij është i papranueshëm dhe tregoi se ka një kërkesë për të në Komisionin e Etikës.
“Sa i përket asaj që ju përmendët, regjimi i Enver Hoxhës ka qenë një regjim që e kemi hequr me dhunë dhe besoj se nuk ka njeri që kërkon të revokojë figurën e Enver Hoxhës. Ka qenë një diktator. Ka një kërkesë në rastin në fjalë për tu parë nga Komisioni i Etikës dhe në rastin më të parë, do të shqyrtohet pavarësisht se si ndodhi. Është e pa pranueshme që një deputet i Kuvendit të përdorë të tilla situata në një ditë feste siç ishte ajo e Pavarësisë”, tha Nikolla.
Kryeparlamentarja u ndal gjithashtu edhe te mosrespektimi i masave të pandemisë nga ana e deputetëve në seancat plenare.
“Nuk respektohet nga deputetët mbajtja e maskës. Unë kam tërhequr vërejtjet. Ne do të përdorim edhe njëherë edhe autoritetin përmes shërbimeve për të mundësuar praninë e maskave në hyrje të seancave plenare. Kërkohet edhe gatishmëria”, tha ajo.
Kujtojmë se provokimi i deputetit socialist Bujar Çela me foton e diktatorit, nxiti Partinë Demokratike të nxjerrë nga sirtarët nismën e saj ligjore për dekomunistizimin e shoqërisë. Propozimi i demokratëve që ndalon simbolet e komunizimit, prek edhe artin e realizimit socialist.
Demokratët kërkojnë bashkëpunimin e socialistëve për të miratuar bashkë në Kuvend një paketë të plotë ligjore që ndan njëherë e mirë Shqipërinë nga e shkuara komuniste.
Top Channel