Marash Kumbulla konfirmohet sërish titullar në skemën me tre në mbrojtje të Romës së Jose Mourinhos, që mbrëmjen e sotme ia doli të rikthehet te fitorja, pasi mposhti Spezian me rezultatin 2-0.

Një sfidë mjaft e mirë për verdhekuqtë, por edhe për mbrojtësin kuqezi, që fitoi derbin personal me shokun e tij te kombëtarja shqiptare, Rey Manaj, I cili gjithashtu ishte titullar me fanellën e skuadrës ligure.

Fitorja erdhi nga mbrojtja për verdhekuqtë, që shënuan me Chris Smalling në minutën e 6’ dhe më pas dyfishuan me Ibanez në të 56-ën, ndërsa në shtesë shënoi edhe Afena-Gyan, por goli u anulua për prekje me dorë dhe sulmuesi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke ikur para kohe në dhomat e zhveshjes.

Gjeti golin ndërkohë edhe Rey Manaj, por edhe këtë herë ishte VAR-i që ndërhyri për ta anuluar, pasi kishte një pozicion jashtë loje në nisje të aksionit nga ana e lojtarëve të Spezias.

Këto kanë qenë notat dhe vlerësimi për dy kuqezinjtë pas ndeshjes:
Kumbulla – 6: I koordinuar mirë kur shkon për të bërë pressing te pasuesi, edhe pse bën më shumë faulle se duhet. Pozicionohet mjaft mirë në mbrojtje, duke mbyllur hapësirat e tij, megjithatë rrezikon të kuqin për një ndërhyrje ndaj Agudelos.

Manaj – 5.5: Në pjesën e parë shumë i ngurtë dhe nervozon shpesh Thiago Mottën, pasi nuk lëviz sa duhet. Në 45-minutëshin e dytë bën më mirë, pasi impenjon Rui Patrision dhe gjen golin që ia anulon VAR-i.

Top Channel