Ish-kreu i FRPD-së, Belind Këlliçi të hënën pasdite deklaroi se i kanë bastisur zyrën, i kanë vjedhur dokumente dhe i kanë ndërruar bravën. Ai njoftoi policinë në lidhje me ngjarjen në praninë e mediave.
“Pres policinë shkencore sepse më është vjedhur zyra, të bëhet ekspertiza, më kanë vjedhur të gjitha të dhënat personale, dhe ka shumë tension se ka njerëz të armatosur“, tha Këlliçi në bisedën e tij me policinë.
Pas Belind Këlliçit, edhe Sali Berisha flet për persona të armatosur.
“Bandat e qeverisë kanë hyrë edhe në selinë e PD. Nuk ka konflikt, prania e bandave të armatosura në seli është çështje e veçantë, të rinjtë thonë se erdhën dhe na kërcënuan me armë, janë në një hapësirë tjetër, nuk jam i rrezikuar, të rrezikuar janë ato që lozin me banda, se të fusin njerëz të armatosur është krim i shëmtuar, të mbajnë ato përgjegjësi“, tha Berisha.
Në fjalën e tij pas mbledhjes, ish-lideri historik i PD-së tha se “pluralizmi politik po rikthehet në Shqipëri” dhe e quajti Kuvendin e 11 dhjetorit si më demokratikun në historinë e Partisë Demokratike.
Ai u bëri thirrje të gjithë demokratëve që janë të mirëpritur në PD, dhe i ftoi të bashkohen duke thënë se kontributi i secilit do të respektohet.
Më herët, Berisha ka deklaruar për mediat se ndodhen në PD për të sjellë vullnetin e shumicës së demokratëve shqiptarë.
“Jemi këtu për të sjellë vullnetin e shumicës së demokratëve shqiptarë. Siç e shihni janë anëtarët e komisionit të përkohshëm të PD të zgjedhur në kuvendin e fundit që kanë ardhur të vendosen në selinë e demokratëve dhe të diskutojnë për çështjet e rëndësishme të së ardhmes”, u shpreh Berisha.
Ai e quajti Lulzim Bashën vetëm deputet dhe tha se ai ka kohë deri me 18 dhjetor të reflektojë mbi vendimin e Kuvendit të 11 dhjetorit.
“Kjo parti nuk përjashton pakicën, i ka dhënë mundësi pakicës të qëndrojë po të dojë si fraksion; deputeti Basha do të jetë anëtar i Grupit Parlamentar. De facto është i shkarkuar nga Kuvendi. Por në respekt të plotë të anëtarësisë të Partisë Demokratike me datën 18 ata do të shprehen për deputetin Basha”, u shpreh ish kryeministri.
Pas futjes në ambientet e shtëpisë së PD-së, nuk munguan as akuzat për Lulzim Bashën.
Berisha e akuzoi atë për “marrjen e karrigeve”.
“Çmenduria e Bashës, ka marrë të gjitha karriget”, u shpreh ish-kryeministri i Shqipërisë.
Ky i fundit theksoi se, vendimet, që do të merren pas mbledhjes, do të bëhen publike edhe për mediat.
Berisha i ka bërë thirrje Bashës që deri më “18 dhjetor të mendojë dhe të reflektojë për vendimin e Kuvendit”.
Top Channel