Basha paditi në SPAK mbështetësit e tij, Berisha: Veprim i dëshpëruar që tregon se ish-lidershipi i PD-së ka prekur fundin

13/12/2021 13:22

Ish-kryeministri Sali Berisha reagoi pas vendimit të Partisë Demokratike për të paditur në SPAK mbështetës të tij për falsifikimin e vulës së PD-së.

Ata janë deputetët Belind Këlliçi, Edmond Spaho, Albana Vokshi, Ivi Kaso dhe Ervin Minarolli. Bëhet fjalë për veprën penale të “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” i kryer në bashkëpunim, parashikuar nga Neni 190 paragrafi i 2 dhe 25 i Kodit Penal.

Sipas Berishës, ky është një veprim i dëshpëruar i Bashës për të kërkuar ndihmë nga pengmarrësi i tij, Edi Rama dhe që tregon se PD ka prekur fundin e saj politik dhe moral.

Ky veprim i dëshpëruar për të kërkuar ndihmë tek Edi Rama dhe falangat e tij në drejtësi provon dhe një herë faqe botës se arsyeja e vetme përse PD kalon prej vitesh nga humbja në humbje është pazari i peng-Bashës me Edi Ramën!

Lulzim Basha ka humbur zgjedhjet, ka humbur qytetarët, ka humbur demokratët, ka humbur delegatët, ka humbur strukturat dhe vetë Partinë Demokratike, por i gënjen mendja se do mund të vazhdojë pazaret dhe marrëveshjet e fshehta me Edi Ramën me vula dhe brava! Është i pashpresë”, shkruan ish-lideri demokrat në një postim në rrjetin social “Facebook”.

Sipas Berishës, Kuvendi Kombëtar, si forumi më i lartë i partisë ka miratuar vulën dhe logon e re të Partisë Demokratike, e cila në vetvete mbart simbolet e 11 dhjetorit 1990.

Këto simbole mbajnë historinë, djersën dhe gjakun e mijëra demokratëve që kanë sakrifikuar deri në akte sublime për vlerat e lirisë, fjalës dhe konservatorizmit. Këto vlera që ne i kemi mbrojtur dhe vazhdojmë t’i mbrojmë fort, u përballën me forcat e errëta të diktaturës dhe nuk humbën, por u rikthyen më të fuqishme . Aq më pak do mundet ti zhbëjë drejtësia e kontrolluar nga Rama i cili tashmë është rreshtuar fort dhe zellshëm në krah të atyre që me veprime korruptive tentuan të çojnë drejt shkatërrimit Partinë Demokratike”.

Në kallëzim drejtuar SPAK-ut thuhet se këta janë persona që kanë pasur funksione në PD, kanë dijeni për rregullat e statutit dhe e kanë kryer veprën penale të përdorimit të vulës dhe simboleve për të realizuar qëllimet e tyre, pavarësisht se ishin në dijeni të pasojave ligjore.

PD e ka depozituar kallëzimin në SPAK, pasi tre nga të kallëzuarit janë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.

Partia Demokratike mblodhi një ditë më parë Këshillin Kombëtar, i cili miratoi unanimisht rezolutën e propozuar dy ditë më parë nga Kryesia e PD kundër lëvizjes dhe veprimeve anti-statutore dhe përçarëse sipas tyre të ndërmarra nga Sali Berisha.

Këshilli Kombëtar konfirmoi unanimisht se lufta kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë në sferat e larta është një element kyç për vendosjen e shtetit të së drejtës dhe integrimin e vendit në BE.

Me votim të fshehtë, Këshilli votoi shkarkimin nga funksionet partiake të emrave të propozuara nga Kryesia e Partisë Demokratike.

Pas përfundimit të kësaj mbledhje, burime nga Selia blu bëjnë me dije se kryetari Basha mblodhi edhe grupin parlamentar të Partisë Demokratike.

Në këtë mbledhje, Basha u dha udhëzime deputetëve demokratë që në veçanti t’u gjenden pranë familjeve dhe bizneseve që kanë vuajtur pasojat e përmbytjeve të ditëve të fundit. Po ashtu mësohet se Basha kërkoi nga deputetët që po kështu aktivitetin parlamentar të javës ta ndërthurin me aktivitetin përgatitor në strukturat e Partisë në lidhje me përgatitjet për Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Kryesia e Partisë Demokratike këtë të shtunë, në datë 18 dhjetor.

Basha e përcaktoi 18 dhjetorin si një ditë vendimtare për të ardhmen e PD, në të cilën nuk do t’u flasë vetëm demokratëve, por gjithë shqiptarëve, e që do të projektojë modelin e ri të funksionimit dhe të aktivitetit politik të Partisë Demokratike.

Sipas kreut të PD-së, në Kuvendin e 18 dhjetorit do të merren vendime të rëndësishme të cilat do ta shndërrojnë Partinë Demokratike në një forcë politike moderne, për t’u dhënë shqiptarëve një model qeverisës të shkëputur nga e kaluara dhe për të sjellë ndryshimin që meritojnë të gjithë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA