Steven Gerrard mori drejtimin e Aston Villa një muaj më parë dhe sot u rikthye si kundërshtar në “Anfield”, stadium ku kaloi vitet më të bukura si futbollist dhe kapiten i Liverpool.

“The Reds” iu falën një penalltie të kthyer në gol nga Momo Salah për të marrë 3 pikët e radhës, teksa trajneri Jurgen Klopp u ndal te Gerrard në prononcimin e dhënë pas ndeshjes.

Tifozët vendas i rezervuan një pritje fantastike idhullit të tyre, ndërsa dy trajnerët u panë pas përfundimit të takimit duke biseduar së bashku. “Steven na uroi për fitoren dhe unë e falënderova për fjalët e mira. Ia dolëm të fitonim, por nuk është momenti të flasim shumë për këtë ndeshje.

Asnjë dhe askush nuk ka shanse të futet mes meje dhe Steven, jemi të dy tipa që përqendrohemi shumë te ndeshjet tona. Kjo është ideja e kësaj loje, ju mund të jeni miku më i mirë i dikujt dhe kur luan kundër tij dëshironi ta mundësh. Kam pasur të njëjtën ndjesi me David Wanger në të kaluarën. Pritja e tifozëve për të ishte e duhura, por sigurisht që rikthimi në ‘Anfield’ ishte i vështirë për Steven.

Ai është një legjendë e Liverpool, ne nuk mund ta ndryshojmë atë tani, madje as nuk duhet ta provojmë. Aston Villa luajti shumë mirë, padyshim që ata luftuan sot për një rezultat pozitiv, të shtyre edhe nga Gerrard”, theksoi Jurgen Klopp.

Top Channel