Kuvendi i thirrur nga Berisha, mblidhen demokratët/ Pritet votimi i një mocioni mosbesimi për shkarkimin e Bashës

11/12/2021 08:08

Pritet nga minuta në minutë që të nisë në stadiumin “Air Albania” Kuvendi Kombëtar i thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha. Me moton “Për një Parti Demokratike, më të hapur, më të fortë dhe më të bashkuar”, Berisha ka ftuar demokratët që të marrin pjesë në këtë Kuvend, në 31-vjetorin e Partisë Demokratike.

Delegatët do kenë zonën e tyre të ndarë, por pjesa tjetër e stadiumit do jetë e hapur për të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Demokratike që duan t’i bashkangjiten punimeve të Kuvendit.

Kuvendi do të nisë në orën 10:00, ndërsa që në nisje do të bëhet verifikimi i mandateve të delegatëve, të cilët më pas do të duhet të votojnë disa qendra votimi të ngritura rreth stadiumit për propozimet e ish-kreut të PD-së.

Verifikimi i delegatëve do të bëhet në mënyrë elektronike, përmes një karte me të cilën ata janë pajisur paraprakisht, nga grupe të rinjsh.

Mbi kartë janë të shënuara të dhënat e tyre, si emër, atësi, mbiemri, pozicioni politik në parti, dega ku bëjnë pjesë dhe një kod sigurie që do t’i  mundësojë Komisionit të Verifikimit të mandateve që do të ngrihet po nesër në kuvend për verifikimin e tyre.

Në Kuvend do të propozohen disa ndryshime statutore, për të cilat ka punuar një grup ekspertësh që iu bashkuan Sali Berishës, si Arben Ristani dhe Oerd Bylykbashi.

Dy më të rëndësishmet, miratimi i Nenit “Basha”që përcakton se kryetari shkarkohet automatikisht nëse humb zgjedhjet e përgjithshme ose kalon në votëbesim nëse humbet ato lokale, dhe përfshirja e anëtarësisë në marrjen e vendimeve nëpërmjet referendumit.

Nëse ka kuorum, do të votohet një mocion mosbesimi për shkarkimin e Bashës, pra për ta shkarkuar.

Berisha pranë ndryshimeve statutore

Ish-kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka arritur numrin e delegatëve për ndryshime statuore brenda selisë blu.

Nga pamjet brenda ambienteve të stadiumit, vihet re se numri i delegatëve, të cilët janë tashmë të pranishëm në stadium, është 4 mijë e 737.

Berisha ka theksuar që në krye të herës se numri real i tyre, do të shkojë në mbi 5 mijë delegatë. Kësisoj Berisha është shumë pranë shkarkimit të kreut aktual të PD-së, Lulzim Basha.

Në një kohë që Berisha do të organizojë Kuvendin e thirrur prej tij, kryedemokrati Basha do të mbledhë demokratët  për të festuar 31-vjetorin e themelimit të PD-së.

Ndonëse publikisht është thënë se Berisha me mbështetësit e tij do të votojnë pro shkarkimit të Bashës, ky i fundit nuk i trembet kësaj lëvizjeje.

Madje kryedemokrati do të jetë brenda selisë së PD në të njëjtën orë kur do të zhvillohet edhe Kuvendi i Berishës.

Kujtojmë se lideri historik i PD-së ftoi publikisht Bashën dhe mbështetësit e tij për të qenë pjesë e Kuvendit.

Ndërsa më pas, Gazment Bardhi sekretar i përgjithshëm i PD ngulmoi se i vetmi Këshill Kombëtar legjitim i kësaj partie është ai i 18 Dhjetorit i thirrur nga kryetari.

Në daljet e tij të mëparshme Berisha ka deklaruar se nuk sheh si pengesë për të ardhmen e Partisë Demokratike faktin që është shpallur ‘non grata’ nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi këmbëngul se është një vendim i pabazuar në fakte dhe prova.

Po ashtu ish-kryeministri mohon që lëvizja e ndërmarrë prej tij, për të eliminuar Bashën, të jetë një hakmarrje personale ndaj kryetarit demokrat për largimin nga grupi parlamentar, si pasojë e vendimit të Departamentit Amerikan të Shtetit.

FOTO GALERI
1/33

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA