Rama tregon planin për shkollat: Do t’i shërbejnë edhe komunitetit. Merr fund shqetësimi i prindërve për…

10/12/2021 10:50

Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë sot në inaugurimin e shkollës së rindërtuar në Kombinat “Lasgush Poradeci”. Në fjalën e tij Rama u shpreh se tashmë shkollat e reja janë projektuar jo vetëm si ambiente ku nxënësit të kenë mundësi të marrin dije, por edhe t’i shërbejnë komunitetit.

Sipas tij nxënësit do kenë mundësi që të zhvillojnë aktivitete sportive në kohën e tyre të lirë jashtë shkolle, duke qenë se aktiviteti fizik është kthyer në një shqetësim edhe për prindërit.

“Na u gjendën në një moment të vështirë, kur bota u përmbys për mijëra familje që humbën shtëpinë dhe për mijëra nxënës që humbën shkollën dhe u detyruan të lëvizin në destinacione të tjera. Në mos të gjithë shumica dërrmuese e atyre që u goditën më fort nga tragjedia e tërmetit nuk e besonin se shumë shpejt gjërat do të ndryshonin dhe se familjet do të ktheheshin në shtëpi shumë më të bukura dhe të forta dhe nxënësit në shkolla që s’kanë të krahasuar me atë që ishin para asaj goditje.

Kemi arsye shumë më të forta sot sesa kishim para tërmetit për të besuar te vetja, e ardhmja jonë. Këtu në Kombinat është një nga zonat më të prekura nga tërmeti dhe për 1000 arsye numri i familjeve të goditura është më i konsiderueshëm sesa në zonat e tjera të Tiranës. Kjo është zona ku do të ndërtohet një nga projektet më të mëdha të rindërtimit.

Lagja e re që do të ndërtohet këtu do të jetë njësoj si kjo shkollë, për nga impakti transformues i jetëve të atyre familjeve që u goditën, por edhe i gjithë jetës së komunitetit. Dua ti garantoj të gjithë që jo vetëm që s’kemi lënë asnjë ditë shkojë kot por vazhdojmë të punojmë pa orar bashkë me Bashkinë Tiranë për të garantuar që shtëpitë dhe të gjitha njësitë e tjera që do ndërtohen të bëhen realitet një orë e më parë.

Ne duhet të shohim shumë përtej infrastrukturës së re dhe për këtë arsye do të angazhohemi shumë qenësishëm që në vitin e ardhshëm me buxhetin e miratuar për të thyer çdo vit e më shumë fonde dhe vëmendje tek më të rinjtë dhe për t’i transformuar shkollat në hapësira të rindërtuara për të marrë dije, por edhe në hapësira për tu organizuar në aspektin social, kulturor, sportiv. Të gjithë këto hapësira të reja të jenë në shërbim të një jete të re në shkollë dhe të mbushjes me energji pozitive të asaj kohës nga klasa në shtëpi, nga banka në shtrat, për të fjetur dhe për tu zgjuar të nesërmen.

Ky është një shqetësim për prindërit dhe nxënësit sepse nuk ka hapësira për shëndetin fizik. Me shumë vëmendje dhe energji ne do të përmbysim komplet këtë trashëgimi të gjithë këtyre viteve të vështira duke pasur parasysh faktin se tani i kemi mundësitë. Në kushtet e sotme ne mund ta nisim këtë fazë të re për shkollën, fëmijët, komunitetet në çdo shkollë dhe pranë çdo shkolle”, tha Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA