Rama mesazh kritikëve: Flisni për mld që i mori me një thes qeveria, por… Ja ç’thotë për projektin e lagjes së re të Kombinatit

10/12/2021 11:19

Kryeministri Edi Rama në përfundim të fjalës së tij, në inaugurimin e shkollës së rindërtuar “Lasgush Poradeci”, në Kombinat, i ka adresuar edhe një mesazh të gjithë kritikëve, ose atyre që sipas tij “s’dinë se çfarë flasin”.

Rama i sqaroi se projektet si ky i kësaj shkolle apo edhe të tjera në Republikën e Shqipërisë, janë të financuara nga partnerët dhe administrohen nga ato që nga fillimi deri në fund të punës.

Sa i përket lagjes së re te Kombinatit, Rama tha se është projekt 100% i qeverisë shqiptare dhe kërkoi mirëkuptim nga ata që janë me padurim në pritje për të hyrë në shtëpi.

“Me këtë rast dua ta përsëris për të gjithë ata që flasin edhe pse s’kanë asgjë për të thënë ose edhe pse nuk dinë se çfarë flasin.

Sa i përket zbatimit të projekteve të gjitha projektet e financuara nga të gjithë partnerët që nga BE deri te qeveria e Katarit që na ka mbledhur këtu sot në këtë projekt fantastik janë financime të administruara nga ata vetë. Të gjithë atyre që vazhdojnë flasin për miliarda që i mori me një thes qeveria e Shqipërisë iu themi se asnjë qindarkë e atyre investimeve të bëra nga qeveria e Shqipërisë nuk është një qindarkë e partnerëve dhe asnjë qindarkë e partnerëve nuk është administruar nga qeveria e Shqipërisë. Partnerët kanë vënë në dispozicion fondet, kanë paguar projektet, kanë bërë garat, kanë vendosur fituesit, partnerët kanë firmosur kontratat dhe qeveria e Shqipërisë bashkë me Bashkitë thjeshtë ia ka shoqëruar këtë proces duke u garantuar se projektet janë të duhurat, duke bërë oponencat e nevojshme në Bashkitë ku janë miratuar lejet e ndërtimit. E gjithë pjesa tjetër është një punë e ndarë më së miri duke i bashkuar forcat dhe duke përcaktuar shumë mirë kufijtë ku secili ka marrë përsipër të bëjë një pjesë të punës dhe e ka bërë atë në mënyrë të shkëlqyer, apo do ta bëjë si këtu edhe për të tjerat.

Duke u kthyer te projekti i lagjes së re të Kombinatit është 100% investim i qeverisë së Shqipërisë, 100% nga buxheti i shtetit dhe nuk  ka asnjë qindarkë që na e ka dhënë bota, janë qindarka të mbledhura dhe mirëadministruara nga taksapaguesit shqiptarë dhe siç është kjo shkollë me këtë shkëlqim dhe këto standarde kështu do të jetë edhe lagjia e re e Kombinatit. Të gjithë ata që janë me padurim në pritje për të hyrë në shtëpi do ti bëjnë hallall të gjitha ditët dhe netët që nuk kanë qëndruar jashtë, as në çadra, por i kanë kaluar dhe do t’i kalojnë deri ditën e fundit në shtëpi me qira të paguara nga qeveria”, tha Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA