Nuk u vaksinua, Koronavirusi e la me pasoja “yllin” e Bayernit

10/12/2021 23:35

Joshua Kimmich e mbyll vitin para kohe për shkak të pasojave që i ka lënë Koronavirusi. Futbollisti i Bayernit të Mynihut, i cili nxiti polemika me qëndrimin e tij për të mos u vaksinuar, sapo përfundoi periudhën e karantinës, pas rezultimit pozitiv me COVID-19, por nuk po kthehet në stërvitje.

Julian Nagelsmann, trajneri i Bayernit, siguroi këtë të premte se Covid-i “nuk duhet të lërë pasoja afatgjata” te mesfushori i tij Joshua Kimmich dhe se nëse ai nuk do të luajë deri në janar “është për një masë paraprake”. Vetë Kimmich deklaroi të enjten se ndihet mirë, por nuk mund të stërvitet me kapacitet të plotë për shkak të dëmeve, edhe pse jo serioze, që i ka shkaktuar virusi në mushkëri.

26-vjeçari do të mungojë këtë të shtunë, në ndeshjen e shtëpisë kundër Mainzit, më 14 dhjetor në transfertë me Stuttgartin dhe në ndeshjen e fundit të vitit, në “Allianz Arena”, më 17 dhjetor, kundër Wolfsburgut. Infiltrimet pulmonare mund të shkaktojnë vështirësi në frymëmarrje, por Nagelsmann tha se nuk shqetësohet, sepse këto infiltrime nuk janë asgjë dramatike, kjo pauzë është për masa paraprake, nuk bëhet fjalë për pasoja afatgjata. Trajneri doli në mbrojtje të lojtarit të tij, i kritikuar për mosvaksinimin: “Këtu nuk është i detyrueshëm vaksinimi”.

Ingo Froböse, një ekspert në shkencën sportive, i tha gazetës “Bild” se “pasojë e infiltrimit është zvogëlimi i vëllimit të mushkërive dhe mund të ketë pasoja të rënda. Nëse Kimmich kthehet në stërvitje shumë shpejt, kjo mund të ketë pasoja të mëdha, duke përfshirë inflamacionin e muskujve të zemrës.” Eric Maxim Choupo-Moting vuan nga i njëjti problem si Kimmich dhe duhet të presë që të kthehet në stërvitje.

Top Channel