Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Predator”, si rezultat i të cilit ka rënë në pranga 1 shtetas që mashtronte të mitura, me qëllim përfitimin seksual.

Të dhënat e grumbulluara në rrugë operative faktonin se një shtetas, nëpërmjet telefonit dhe rrjeteve sociale, joshte femra, kryesisht të mitura, me qëllim përfitimin seksual. I arrestuari është shtetasi M. Ç., 59 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Ngacmimi seksual”.

“Nga hetimet ka rezultuar se ky shtetas, nëpërmjet telefonit dhe rrjeteve sociale, mashtronte femra, kryesisht të mitura, për përfitim seksual. Në kuadër të këtyre hetimeve është bërë i mundur identifikimi në kohë i personit të dyshuar dhe parandalimi i kryerjes së veprimeve të mëtejshme kriminale nga ky shtetas, me të miturat.

Ky shtetas u kap në kushtet e flagrancës, pasi kishte organizuar një takim me një shtetase tjetër të mitur. Gjatë veprimeve hetimore (këqyrjes së celularit) janë gjetur prova kompromentuese për këtë shtetas, që e implikojnë në këtë veprimtari kriminale”, njofton policia.

Vlen të theksohet se kontribut në inicimin e këtij procedimi penal ka patur edhe emisioni investigativ “STOP” në televizionin kombëtar “Klan”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Ngacmimi seksual” dhe “Trafikimi i të miturve”.

Top Channel