Një hulumtim disa mujor i ekipit të Drejtësia në Kosovë, i transmetuar më pas në tri pjesë të ndara në janar të vitit 2019, shfaqi pamjet ekskluzive të lidhjes mes kontrabandistëve dhe zyrtarëve policor në veri të Kosovës për kontrabandë.
Këto lidhje mes kontrabandistëve dhe zyrtarëve policor i kishte deklaruar një person i cili vetë kryente kontrabandë me mallra përmes rrugëve ilegale.
Ai shpjegonte në detaje se si funksiononte zinxhiri, në cilat pika liheshin paratë e deri tek ajo se cilët zyrtarë policor ishin të përfshirë.
Madje skema fuqizohej më shumë kur kontrabandistët e dinin saktësisht se cilët zyrtarë policor ishin në ndërrime të caktuara dhe me cilin do të bisedonin për të mundësuar kontrabandën pa u penguar nga askush përmes rrugëve ilegale nga Serbia në Kosovë.
Të përfshirë në këtë lidhje për bashkëpunim me zyrtarë policor për kontrabandë ishin edhe dy nga 13 serbët e Kosovës, Milan e Milojko Radisavljeviq të cilët janë sanksionuar së fundmi nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në njërën nga emisionet e ‘Drejtësia në Kosovë’, njëri nga kontrabandistët tregonte se ishin disa dyqane ushqimesh e edhe pompa të benzinës ku i linin paratë për zyrtarët policor të cilët lejonin më pas futjen e kamionëve përmes rrugëve ilegale, e të cilët transportonin mall të ndryshëm në mënyrë të paligjshme.
“Do të shkoj te dyqani i quajtur “Guri” aty ku lihen paratë për policinë apo shefin e ndërrimit. Për çdo hyrje apo dalje, je i obliguar që të paguash dhe t’i lësh paratë në dyqan”, tregon qytetari i cili i njëjti si shumë të tjerë kontrabandonte mallra të ndryshme përmes rrugëve ilegale.
Ai madje jepte detaje edhe se në cilat pompa të derivateve liheshin paratë për zyrtarët policor për të lejuar futjen e automjeteve me mall të kontrabanduar.
Tutje ai tregonte dhe shpjegonte se jo të gjithë automjetet që futen përmes rrugëve ilegale paguanin shumën e njëjtë.
“Për një kamion të thjeshtë 50 euro, për një furgon prej 50 deri 100 euro”, vazhdon rrëfimi i të njëjtit.
Në çështje tjetër që kishte rrëfyer kontrabandisti, ishte se shpesh herë zyrtarët policor apo shefat e ndërrimit dilnin me makina private për të mbledhur shumën e parave për kalimin e kamionëve me mall të kontrabanduar përmes rrugëve ilegale.
Top Channel