Napoli kualifikohet dhe “përjashton” Leicester nga Europa League, siguron biletën edhe Sociedad

10/12/2021 00:20

Napoli ia ka dalë të kualifikohet për në fazën e 1/16-tave në Europa League teksa e siguruan biletën në takimin e fundit në Grupin C, duke mposhtur në shtëpi me rezultatin 3-2, Leicester.

Të kaltrit e nisën në mënyrën më të mirë të mundshme sfidën duke gjetur dy gola të shpejtë me Ounas dhe Elmas, megjithatë anglezët treguan shpirtin luftarak dhe gjetën barazimin po në 45-minutat e para.

Me fraksionin e parë që u mbyll në barazim 2-2, Napoli e nisi vrullshëm pjesën e dytë për të rimarrë avantazhin. Dhe, në fakt goli erdhi për italianët që realizuan golin vendimtar në minutën e 53 me Elmas.

Ndërkaq, Leicester nuk pati më forcë për të reaguar dhe kështu përfundoi e treta në grup, duke u transferuar tashmë në kompeticionin Conference League. Sakaq, si e parë e Grupit C përfundoi Spartak Moscow, me rusët që fituan nga Legias me rezultatin 0-1 dhe raundin pasardhës do ta nisin nga 1/8-tat.

Sa i takon sfidave të tjera, Real Sociedad kalon për më tej si e dytë e Grupit B, teksa mposhtën PSV me rezultatin 3-0, teksa holandezët kalojnë në Conference League. Ndërkohë, në vendin e parë të këtij Grupi renditet Monaco. Për në fazën pasardhëse të Europa League kualifikohen edhe Eintracht Frankfurt, Olympiacos, Lyon dhe Rangers.

Rezultatet:

Antwerp-Olympiacos 1-0
Fenerbahce-Eintracht Frankfurt 1-1
Legia-Spartak Moscow 0-1
Lyon-Rangers 1-1
Napoli-Leicester 3-2
Real Sociedad-PSV 3-0
Sparta Prague-Brondby 2-0
Sturm Graz-Monaco 1-1

Top Channel