Zëvendës ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar është takuar edhe më kryeministrin Edi Rama gjatë vizitës së tij të parë në Tiranë .

Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu mëson se zoti Escobar ka pohuar se SHBA në muajt në vazhdim do ta përshkallëzojë luftën me të korruptuarit në Shqipëri deri në nivelet më të larta, por nuk ka dhënë detaje specifike.

Në Tiranë, Gabriel Escobar u prit edhe nga Olta Xhaçka, ministre për Europën dhe Punët e Jashtme e cila thotë se ishte një takim i shkëlqyer duke shprehur mirënjohjen e saj për mbështetjen e SHBA për Shqipërinë dhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Shqipëria, thekson Olta Xhaçka, e mirëpret bashkëpunimin me miqtë dhe partnerët amerikanë për agjendën e rajonit.

Ndryshe nga vizita në Maqedoninë e Veriut nga ku zoti Escobar u takua edhe me presidentit Stevo Pendarovski, në Shqipëri ai preferoi mos të përfshinte në agjendë presidentin Ilir Meta.

Zyrtari i Lartë,  i shoqëruar nga ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim takimin e parë në Tiranë e pati me kryedemokratin, Lulzim Basha, ku dha dy mesazhe shkurt për mediat; institucionet shqiptare duhet të jenë ato që luftojnë korrupsionin dhe se kreun e PD-së e pret në SHBA.

Kjo vizitë ka ardhur vetëm dy ditë para mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të thirrur nga ish-lideri i PD-së, Sali Berisha, i cili është shpallur ‘non grata’ nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Presidenti demokrat i SHBA-ve, Joe Biden, ka theksuar vazhdimisht se nga sanksionet e tyre synohen personat e përfshirë në abuzime serioze të të drejtave të njeriut, në korrupsion dhe që minojnë demokracinë.

Këto dy akuza të fundit ishin edhe shkaku pse ish-kryeministri Berisha u shpall person ‘non grata’.

Vizita e Escobar-it në Shqipëri u konfirmua më 7 dhjetor nga Ambasada Amerikane në Shqipëri, ku dhe zbardhi agjendën e tij, ndërsa Escobar e vizitoi Shqipërinë në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA