Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka e ka konsideruar të shkëlqyer takimin me Ndihmës Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar.
Kryediplomatja shqiptare vlerësoi mbështetjen e SHBA për vendin tonë dhe Ballkanin Perëndimor.
Njëherësh ajo theksoi se Shqipëria është e përkushtuar për stabilitetin dhe integrimin euro-atlantik të Ballkanit Perëndimor dhe mirëpret bashkëpunimin me miqtë dhe partnerët amerikanë për agjendën e rajonit.
Takimi i ministres Xhaçka me Eskobar erdhi pak orë pas kthimit të kryediplomates shqiptare nga SHBA, ku mori pjesë në takimet që kryeministri
Rama pati në Detroit dhe New York, fokusuar kryesisht në mikpritjen që Shqipëria i bëri 2 400 shtetasve afganë, thellimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit si dhe zgjerimin e investimeve amerikane në Shqipëri.
“Takim i shkëlqyer me Ndihmës Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar. Mirënjohje për mbështetjen e SHBA për Shqipërinë dhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria është e përkushtuar për stabilitetin dhe integrimin euro-atlantik të Ballkanit Perëndimor dhe mirëpret bashkëpunimin me miqtë dhe partnerët 🇺🇸 për agjendën e rajonit“, shkruan miniastrja.
Zyrtari i Lartë, i shoqëruar nga ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim takimin e parë në Tiranë e pati me kryedemokratin, Lulzim Basha, ku dha dy mesazhe shkurt për mediat; institucionet shqiptare duhet të jenë ato që luftojnë korrupsionin dhe se kreun e PD-së e pret në SHBA.
Kjo vizitë ka ardhur vetëm dy ditë para mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të thirrur nga ish-lideri i PD-së, Sali Berisha, i cili është shpallur ‘non grata’ nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Presidenti demokrat i SHBA-ve, Joe Biden, ka theksuar vazhdimisht se nga sanksionet e tyre synohen personat e përfshirë në abuzime serioze të të drejtave të njeriut, në korrupsion dhe që minojnë demokracinë.
Këto dy akuza të fundit ishin edhe shkaku pse ish-kryeministri Berisha u shpall person non grata.
Vizita e Escobar-it në Shqipëri u konfirmua më 7 dhjetor nga Ambasada Amerikane në Shqipëri, ku dhe zbardhi agjendën e tij. Escobar e vizitoi Shqipërinë në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit.
Top Channel