“Vettingu në politikë”, Basha: Koha për një angazhim të të gjithë shoqërisë për pastrimin e politikës nga korrupsioni

09/12/2021 11:43

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha këtë të enjte i është rikthyer nismës së demokratëve për vettingun në politikë.

Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, Basha tha se ka ardhur koha për një angazhim të të gjithë shoqërisë shqiptare për të ecur me vendosmëri përpara për pastrimin e politikës dhe përballjes me korrupsionin.

Arsyeja pse fatkeqësisht Shqipëria renditet gjithmonë e më shumë e fundit për gjërat që ua lehtësojnë jetën shqiptarëve dhe e para për ato që ua bëjnë të pamundur atë, është korrupsioni. Është korrupsioni që varfëron qytetarët, që dëmton demokracinë, që shpopullon vendin, që vret besimin tek e ardhmja”, u shpreh kryedemokrati.

Partia Demokratike insiston për të miratuar me ligj Vettingun e politikanëve, për ta larguar ata zyrtarë që janë të lidhur me eksponentë kriminalë apo kanë pasuri të pajustifikuar.

Kreu i kësaj partie këmbëngul në nismën që ka depozituar në Kuvend për vettingun në politikë, pasi sipas tij shkëput Shqipërinë nga kthetrat e korrupsionit, duke ndëshkuar politikanët e korruptuar dhe kthen pushtetin tek qytetarët.

Që pushteti t’u kthehet qytetarëve, duhet të marrë fund pandëshkueshmëria e politikanëve të korruptuar, duhet pastruar politika nga abuzuesit që janë pasuruar në kurriz të qytetarëve, duhet një orë e më parë vetting në politikë”, ka deklaruar kreu i PD-së, Basha.

Për Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit reagoi edhe ambasada amerikane në Tiranë, duke theksuar se korrupsioni minon sundimin e ligjit dhe zbeh besimin e publikut në institucionet qeveritare.

Në një shënim të shkurtër në Twitter, Ambasada Amerikane konfirmon edhe një herë përkushtimin e saj për t’i nxjerrë përgjegjës aktorët e korruptuar dhe ndërkaq u bën thirrje vendeve që t’u përmbahen angazhimeve për të luftuar korrupsionin.

Në të njëjtën linjë, kohë më parë, ishte ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim që deklaroi se SHBA-të po ndërmarrin veprime shtesë ndaj luftës kundër korrupsionit, financimit të paligjshëm, si dhe për forcimin e kapaciteteve për të ekspozuar aktet korruptive.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA