Ish-lideri demokrat, Sali Berisha ka njoftuar mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së këtë të shtunë, më 11 dhjetor.
Në stadiumin “Air Albania”, Berisha dhe mbështetësit e tij pretendojnë se katër mijë nga pesë mijë delegatët që kanë firmosur për mbledhjen e Kuvendit, do të jenë të pranishëm.
Nga ana tjetër, kryedemokrati Lulzim Basha, që ka njoftuar datën 18 për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar dhe mbështetësit e tij venë në pikëpyetje “11 dhjetorin”, pasi thonë se firmat që Berisha ka mbledhur nuk janë të vërteta. Sipas tyre, kanë firmosur delegatë që nuk e dinë që kanë nënshkruar, ndërsa disa të tjerë nuk janë fare delegatë.
Arben Ristani, i ftuar në “Open”, thotë se procesi do të jetë transparent, ndërsa delegatët që do të marrin pjesë, do të votojnë për disa pika, mes të cilave dhe kërkesën për shkarkimin e Bashës nga drejtimi i së djathtës.
“Janë marrë të gjitha masat, janë pajisur delegatët me bexhe të shoqëruar me barkode. Regjistrimi bëhet nëpërmjet një pajisje me lazer që lexon barkodin. Tregon prezencën dhe pozicionin. Janë të shoqëruara bashkë me kartën e identitetit. Kuvendi do të ngrejë komisionet e veta për të monitoruar procesin. Do të vërtetohen prania e ¼ të delegatëve. Kur janë mbi 50% e njerëzve aty, vërtetohet kuorumi i nevojshëm”.
Ristani thotë se kush është i interesuar mund ta ndjekë procedurën nga afër, përfshirë këtu dhe medien.
Ervin Salianji kundërshton Ristanin, duke thënë se “bexhet janë nxjerrë nga vetë Berisha, nga ta dimë që janë të sakta, ndërsa janë bërë karta për të gjithë”.
Ristani replikon se janë bërë karta për të gjithë, dhe për ata që nuk kanë firmosur, por secili do të ketë dhe kartën e identitetit dhe secili mund ta verifikojë.
Top Channel