Prej një jave Yzberishti pa drita/ Balluku: S’kam dijeni! Drejtohuni te OSHEE dhe do merrni përgjigje

09/12/2021 09:52

Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku bëri të ditur sot se qeveria ka kaluar dy akte normative që lidhen me shpërndarjen e energjisë elektrike dhe faktin se konsumatori e biznesi i vogël nuk preken nga rritja e çmimit të energjisë elektrike.

“Sot kanë kaluar dy akte të rëndësishme. Akti 1  ka të bëjë me një ndryshim të datës 24.4.2019 për “Miratimin e planit të konsolidimit financiar të sektorit publik elektroenergjitik”, i cili parashikon ndryshimin e disa indikatorëve të vendosur për OSHEE të cilat janë rishikuar, bazuar mbi të gjitha ngjarjet që kemi pasur nga 2019 deri më sot. Që kanë të bëjnë me tërmetin, me pandeminë dhe  me krizën energjitike. Të gjithë këto faktorë kanë sjellë rritje të konsumit, por ulje të pagesave duke krijuar një efekt negativ te indikatorët që i kemi rishikuar dhe i kemi vënë në parametra realist deri në 2026.

Akti i 2 prek të gjithë qytetarët në aspektin e shërbimit. theksoj se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorin familjar dhe biznesin e vogël. Këtë qeveria e ka garantuar që në fillim të muajit nëntor. Për të arritur këtë garantim sot kemi bërë disa ndryshime të rëndësishme, për të cilat që për të adresuar këtë krizë energjitike janë të nevojshme këto masa:

-shoqëria KESH ka detyrimin e furnizimit publik dhe duhet të furnizojë FSHU-në me të gjithë sasinë e nevojshme me qëllim plotësimin e plotë të gjithë kërkesës së tregut të rregulluar, atij të 0.4 volt, ose grupi i abonentëve familjarë dhe biznesit të vogël, sipas çmimit për njësi të energjisë elektrike të miratuar nga Asambleja e përgjithshme e shoqërisë”, tha Balluku.

E pyetur nëse është në dijeni se në zonën e Yzberishtit në Tiranë prej një jave, në një afat kohor prej 2-3 orësh ka ndërprerje të energjisë elektrike, Balluku u shpreh se nuk është në dijeni të këtij fakti, por me siguri deklaroi se ajo do jetë një zonë në remont.

“Do ishte gabim që unë të përgjigjem gabim për zonën e Yzberishtit, por nëse i drejtoheni OSHEE ne kemi një raport ditor për zonat që do jenë remont. Nuk jam e informuar, nëse i drejtoheni OSHEE-së do merrni informacion, edhe pse ajo funksionon me njoftime për zonat në remont, por do të jetë patjetër një zonë që është në remont”, tha Balluku.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA