Le te kthehemi pas në kohë, në vitin 2000. Për herë të parë opinioni publik do të tronditej nga një ngjarje makabër. Kjo është Erieta Avdyli, në atë kohë 33 vjeç.
Ajo zhduket pa gjurmë më 30 mars. Prindërit e saj të alarmuar filluan menjëherë kërkimet. Ata kishin frikë për jetën e saj pasi ishte dhunuar dhe kërcënuar nga ish bashkëshorti. Madje për këtë babai i Erietës kishte nisur disa letra në institucionet më të larta shtetërore ku kërkonte mbrojtjen e të bijës.
Pothuajse dy muaj më pas, në 13 maj 2000 një qen zbulon rastësisht trupin e dekompozuar të Erietës pranë fshatit Romanat. Trupi i saj ishte i mbuluar me disa thasë plehrash.
“Erieta ka qenë këmbana e parë e krimit dhe e dhunës ndaj grave. Ne jemi marrë 10 vjet me dosjen e Erjetës për ta bërë simbol të grave të vrara dhe faktikisht ajo është një simbol”, u shpreh Sevim Arbana, aktiviste për të drejtat e grave
Në atë kohë Policia shoqëron në qelitë e paraburgimit bashkëshortin e viktimës Dritan Avdyli, me detyrë shefi i komisariatit numër 1 Tiranë. Për të, u vendos arrest me burg pa afat, në kushtet e akuzës për vrasje. Në dhjetor 2000 Gjykata ndryshon masën e sigurisë për Dritan Avdylin dhe vendos ndjekjen penale të tij në gjendje të lirë. Pas dy vjet hetimesh, prokuroria e rrethit Tiranës pushon hetimin për Dritan Avdylin.
“Po të gërmosh në dosjen e Erietës e kupton se çfarë është luajtur nga drejtësia shqiptare. Si arriti ta çojë në kalendrat greke këtë dosje dhe ta mbyll për të shpëtuar ata njerëz që pikërisht duhet të dënoheshin. Pavarësisht që ne nuk i vëmë një emër vrasësit ai e ka një emër dhe drejtësia duhet ta kishte nxjerrë se ishte shumë e thjeshtë. Dosja e Erietës ishte e plotë dhe duhej të ishte nxjerrë por fati që pati tregon edhe fatin e dosjeve të grave të tjera të cilat u vranë dhe burrat nuk u akuzuan apo u dënuan me 2-3 vite dhe dolën. U nxorën me pretendime jo s’është mirë nga ana shëndetësore. Pra drejtësia ka dhënë dënime skandaloze prandaj jemi në këtë pikë se askush nuk e ka paguar shtrenjtë”, u shpreh Sevim Arbana, aktiviste për të drejtat e grave.
Top Story ka siguruar dosjen e Erieta Avdylit. Në këtë dosje ka të dhëna kontradiktore e madje hetime të pa përfunduara. Mes të tjerave ajo që bie në sy është fakti se Erieta ditën që është zhdukur ka qënë me një veshje tjetër. Ndërsa ditën që është gjetur trupi ka qënë ndryshe. Kjo është një provë e fortë që vërteton se pas punës ajo ka shkuar në shtëpinë e ish-bashkëshortit.
Atë ditë pasi të linte punën ajo do të shkonte të merrte disa rroba dhe librat e të birit në shtëpi, për të qëndruar tek prindërit e saj. Biçikleta me të cilën ajo lëvizte nga puna në shtëpi është lënë poshtë pallatit.
Prindërit të alarmuar që vajza nuk po shkonte në shtëpi kanë kontaktuar me njerëz të ndryshme, madje edhe me bashkëshortin e saj. Askush nuk dinte asgjë. Madje ajo që ngreh hije dyshimi ishte se si vetë bashkëshorti nuk bërëi kurrë denoncim për zhdukjen e saj. Madje ai nga momenti që ajo u cilësua si e zhdukur ndërpreu kontaktet edhe me familjen e Erietës.
Sipas dëshmive të zbardhura Erieta po përgatitej për të kërkuar divorcin për shkak të dhunës që po i ushtrohej. Edhe pse ajo ditën e zhdukjes ka pasur disa dokumente me vete, nuk janë gjetur në çantën e saj.
Nëse vazhdojmë në këtë mënyrë me analizën e dosjes ka shumë gjëra të cilat duhen ri-hetuar. Ndoshta ka ardhur momenti që institucionet e drejtësisë të japin kontribut më të madh në zbardhjen e këtyre vrasjeve.
“Të paktën SPAK-u të bënte një gjest që të merrte disa dosje të grave të vrara që nga viti 2000 të themi që është Erieta Avdyl dhe të vazhdonte me gratë e tjera që ti bënte model mos të zvarriten dhe të mos lehtësohen kriminelët që shkaktuan këtë dramë”, u shpreh Sevim Arbana, aktiviste për të drejtat e grave.
Top Channel