Tre doza të vaksinës së Pfizerit ndihmojnë sipas kësaj kompanie për të neutralizuar variantin e ri të koronavirusit, Omicron.

Njoftimi që vjen pas testeve intensive laboratorike,thekson se dy doza të vaksinës rezultuan më pak të efektshme në neutralizimin e antitrupave por me dozën e tretë, vihet re një shtim i efektshmërisë.

Rezultatet janë parapake dhe priten më shumë të dhëna në vijim. Kompania mes tjerash shtoi se nëse është e nevojshme, vaksinat që do të kishin për bazë variantin Omicron, do të jenë gati deri në mars të 2022-shit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi më herët se vaksinat mbrojnë njerëzit nga varianti Omicron. Sipas doktorit Mike Ryan nga OBSH-ja, të dhënat e para dëshmojnë se Omicron nuk i sëmur njerëzit më rëndë sesa Delta apo variantet tjera, edhe pse është më infektues. Omicron është varianti që ka pësuar më shumë mutacione nga të gjithë variantet e tjera të zbuluara deri më tani.

Ai u identifikua fillimisht në Afrikën e Jugut dhe që prej atëherë është shpërndarë në shumë shtete në pjesë të ndryshme të globit. Që prej fillimit të pandemisë në mbarë botën janë regjistruar mbi 267 milionë raste dhe mbi pesë milionë vdekje, sipas Universitetit Johns Hopkins.

Top Channel