Kosova do të nisë administrimin e dozës së tretë përforëzuese të vaksinës kundër koronavirusit. Ministria e Shëndetësisë konfirmoi se ky vendim pritet të nisë zbatimin nga 9 dhjetori.

Doza e tretë u jepet personave, të cilët i kanë marrë dy dozat e vaksinës kundër COVID-19, por te të cilët nuk është zhvilluar imuniteti i duhur, si pasojë e imunitetit të dobët të tyre, apo sëmundjeve shoqëruese, me rekomandim të mjekut ordinues. Doza e tretë jepet jo më herët se 8 javë dhe pa i bërë 6 muaj nga marrja e dozës së dytë”, sqarohet në deklarate.

Fushata e vaksinimit në Kosovë ka nisur në fund të marsit dhe, deri më tash, mbi 42 për qind e qytetarëve janë vaksinuar plotësisht.

Nga vendet e rajonit, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins në SHBA, Serbia ka vaksinuar 45 për qind të popullatës, Mali i Zi 41 për qind, Maqedonia e Veriut 38 për qind, Shqipëria 34 për qind dhe Bosnje e Hercegovina 21 për qind.

Të gjitha vendet e rajonit po ashtu kanë nisur me dhënien e dozës së tretë dhe asaj përforcuese kundër koronavirusit.

Në fund të nëntorit, Komisioni Evropian propozoi që doza e tretë e vaksinës të jetë parakusht për udhëtim në Bashkimin Evropian për qytetarët e të ashtuquajturave vende të treta, që përfshijnë edhe ata të Ballkanit Perëndimor.

Top Channel