Balla nga Washingtoni: SHBA mbështesin fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë në BE

08/12/2021 09:19

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ndodhet për një vizitë zyrtare në Washington.

Përmes një postimi në Facebook, Balla shkruan se SHBA mbështesin fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Balla ka zhvilluar një takim ne Drejtorin e Zyrës për çështjet e Europës Qendrore dhe Jugore, të cilin e falenderon për përpjekjet diplomatike me vendet anëtare të BE për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare sa më parë.

Më tej, kreu i grupit parlamentar të PS thotë se “Shqipëria ka miratuar dhe po zbaton një reformë të thellë të sistemit të drejtësisë, e cila po garanton çdo ditë e më shumë një sistem drejtësie efikas në shërbim të barazisë para ligjit, në krijimin e klimës dhe garancive për investimet e huaja dhe ndërshkimit të korrupsionit dhe eliminimin e pandërshkueshmërisë”.

Postimi i plotë:

Washington📍Në U.S. Department of State u mirëpritëm nga Drejtori i Zyrës për Çështjet e Europës Qëndrore dhe Jugore Martin McDowell. Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes Departamentit të Shtetit mbështesin fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë me Bashkimin Europian. E falenderova zotin McDowell për përpjekjet e tyre diplomatike me vendet e anëtare të BE për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndëqeveritare BE-AL sa më parë.

Falë mbështetjes së pazëvendësueshme të SHBA dhe BE, Shqipëria ka miratuar dhe po zbaton një reformë të thellë të sistemit të drejtësisë, e cila po garanton çdo ditë e më shumë një sistem drejtësie efikas në shërbim të barazisë para ligjit, në krijimin e klimës dhe garancive për investimet e huaja dhe ndërshkimit të korrupsionit dhe eliminimin e pandërshkueshmërisë. Sikurse është bërë publike, Presidenti Biden e ka shpallur luftën kundër korrupsionit si një çështje themelore të interesave të sigurisë kombëtare. Administrata Biden-Harris shpalli pak ditë më parë, të parën Strategji të SHBA në Luftën kundër Korrupsionit #UnitedStatesStrategyonCounteringCorruption, e cila përfshin marrjen e masave shtesë dhe të menjëhershme për të reduktuar aftësinë e aktorëve të korruptuar të përdorin sistemet financiare të SHBA dhe ato ndërkombëtare, të fshehin asetet dhe pastrojnë të ardhurat nga aktet korruptive.

Shqipëria ka dëshmuar gjithmonë, si një partner i besueshëm dhe anëtar i NATO-s, të jetë përkrah SHBA dhe kjo u rikonfirmua edhe një herë në rastin e mikpritjes dhe strehimit në Shqipëri të afganëve përgjatë këtij viti, jeta e të cilëve rrezikohej nga rikthimi i regjimit të talebanëve.

Top Channel