Zgjedhja e anëtarëve të KED, Kim: Vazhdon zbatimi i Reformës në Drejtësi! I hap rrugën përfundimit të Gjykatës Kushtetuese

04/12/2021 11:50

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, ka përgëzuar shortin e hedhur nga Presidenca, në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Avokatin e Popullit për zgjedhjen e anëtarëve të rinj në KED.

Sipas ambasadores shorti transparent i djeshëm i hap rrugë plotësimit të Gjykatës Kushtetuese në fillim të vitit të ardhshëm, ndërsa shprehet optimiste për vazhdimin e Reformës në Drejtësi.

Diplomatja amerikane kujton se Gjykata Kushtetuese arriti kuorumin 1 vit më parë që mundësoi funksionalitetin dhe se veprimi i djeshëm i hap rrugën përfundimit të Gjykatës Kushtetuese në fillim të vitit 2022.

“Vazhdon zbatimi i Reformës në Drejtësi. Më vjen mirë që Zyra e Presidencës (në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Avokatin e Popullit dhe të tjerë) zhvilloi dje një short transparent për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Gjykata Kushtetuese arriti kuorumin 1 vit më parë që mundësoi funksionalitetin. Veprimi i djeshëm i hap rrugën përfundimit të Gjykatës Kushtetuese në fillim të vitit 2022. Inkurajojmë të gjitha institucionet përkatëse që të vazhdojnë përpara – pavarësisht pengesave – për zbatimin e reformës në drejtësi”, shkruan ambasadorja Kim në Twitter.

Presidenca zgjodhi dje me short anëtarët e rinj të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për vitin 2022. Përmes një procesi live janë zgjedhur 9 anëtarët e përhershëm dhe 6 anëtarët zëvendësues të KED.

Anëtarët e zgjedhur janë përfaqësues nga Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme, Gjykatat e Apelit, Prokuroritë pranë Gjykatave të Apelit dhe Gjykatat Administrative.

Të pranishëm në hedhjen e shortit ishin përfaqësues të Kuvendit, përfshirë dhe opozitën, KLGJ, KLP, OPDAT-it dhe Avokatit të Popullit.

Anëtarët e zgjedhur:

Marsida Xhaferllari nga Gjykata Kushtetuese

Elsa Toska anëtarja e dytë nga Gjykata Kushtetuese

Altin Binaj anëtar zëvendësues nga Gjykata Kushtetuese

Anila Leka anëtare nga Prokuroria e Përgjithshme

Thoma Jano anëtar zëvendësues nga Prokuroria e Përgjithshme

Sokol Binaj anëtar nga Gjykata e Lartë

Sandër Simoni anëtar zëvendësues nga Gjykata e Lartë

Edlira Petri anëtare nga Gjykatat e Apelit

Enton Dhimitri anëtari i dytë nga Gjykatat e Apelit

Ritvan Hado anëtar zëvendësues nga Gjykatat e Apelit

Arta Marku anëtare nga Prokuroritë pranë Gjykatave të Apelit

Etjen Kapo anëtar nga Prokuroritë pranë Gjykatave të Apelit

Genti Xholi anëtar zëvendësues nga Prokuroritë pranë Gjykatave të Apelit

Klodiana Mema (Veizi) anëtare nga Gjykatat Administrative

Erarbër Madhi anëtar zëvendësues nga Gjykatat Administrative

 

Top Channel