Spyware Pegasus përdoret për të hakuar diplomatët amerikanë që punojnë jashtë vendit

04/12/2021 11:48

Apple ka njoftuar 11 punonjës të Ambasadës Amerikane se iPhone-ët e tyre janë hakuar muajt e fundit me Spyware Pegasus nga NSO Group, një kompani me bazë në Izrael që ndihmon klientët për të vjedhur të dhëna, të përgjojnë biseda dhe të gjurmojnë lëvizjet e objektivave të tyre.

Ky zbulim vjen një muaj pasi zyrtarët amerikanë futën në listën e zezë NSO Group, të cilin e akuzuan se klientët e tij kishin arritur të hakeronin punonjës të ambasadës amerikane, aktivistë politikë dhe punonjës që merren me organizatat e të drejtave të njeriut.

Këto veprime vijnë pas publikimit në muajin korrik të projektit Pegasus, një hetim nga The Washington Post dhe 16 organizata të tjera lajmesh mbi aktivitetet e NSO Group.

Një nga të dhënat e këtij investigimi ishte se diplomatët amerikanë dhe punonjësit e tjerë të ambasadës ishin të rrezikuar nga Pegasus, veçanërisht kur ata përdornin numra telefoni të regjistruara në vende të tjera.

Më herët, SHBA-ja vendosi NSO Group në “listën e subjekteve” me të cilat ndalon marrëdhëniet e biznesit.

NSO Group tha se është “i tronditur” me vendimin dhe shtoi se teknologjia e tij ka ndihmuar në ruajtjen e sigurisë kombëtare të SHBA-së, duke “parandaluar terrorizmin dhe krimin”.

Organizata, prej kohësh, pohon se softueri i saj i shitet vetëm ushtrisë, agjencive të zbatimit të ligjit dhe inteligjencës në vende ku respektohen të drejtat e njeriut.

Por, muaj më parë, ajo është akuzuar për shitje të teknologjisë së saj te qeveritë autoritare, të cilat më pas kanë shënjestruar njerëz të pafajshëm.

Zyrtarët amerikanë thanë se NSO Group dhe një firmë tjetër izraelite, Candiru, kanë vepruar “në kundërshtim me sigurinë kombëtare ose interesat e politikës së jashtme të SHBA-së”.

Departamenti Amerikan i Tregtisë tha se vendimi i tij “është bazuar në provat se këto entitete kanë zhvilluar dhe furnizuar me softuerë qeveritë e huaja, që i kanë përdorur këto mjete për të shënjestruar me qëllim të keq zyrtarë qeveritarë, gazetarë, njerëz të biznesit, aktivistë, akademikë dhe punonjës të ambasadave”.

 

Top Channel