Shfryn Bellingham: Ç’prisni nga një gjyqtar që është akuzuar për trukim?!

04/12/2021 23:52

Mesfushori anglez i Borussias së Dortmundit, Jude Bellingham, nuk ka mundur ta përmbajë zemërimin në përfundimin të ndeshjes me Bayernin, e mbyllur 2-3 në favor të bavarezëve. Ai sulmoi drejtpërdrejt Felix Zwayer, për penalltinë e padhënë ndaj Reus dhe për vendime të tjera të dyshimta në klasiken e futbollit gjerman. 18-vjeçari verdhezi kujtoi të kaluarën e “bilbilit” kryesor, i cili ka qenë i akuzuar për trukim ndeshjesh.

“Për mua nuk ishte penallti ajo që e ktheu në gol Lewandowski. Hummels as nuk po e shihte topin, ai po luftonte për ta fituar atë dhe thjesht e godet. Nuk mendoj se po e shihte topin. Mund të shikoni shumë vendime në këtë ndeshje. Kur ia jepni ndeshjen më të madhe në Gjermani një gjyqtari të akuzuar për fiksim rezultatesh çfarë prisni?

Erling Haaland, i cili realizoi golin e 2-2, sapo nisi pjesa e dytë, u shfaq gjithashtu i indinjuar nga mënyra se si vendosi drejtësi kryesori. “Mendoj se ishte skandal për sa i përket arbitrimit”, – tha norvegjezi, duke iu referuar penalltisë së pretenduar nga Marco Reus. – “Ishte arrogant, nuk mund të them më shumë.”

Kush është arbitri në fjalë? Zwayer u përfshi në një skandal të trukimit të ndeshjeve të Bundesligës në vitin 2005. Ai u dënua për gjashtë muaj për marrjen ryshfeti nga arbitri i penduar, Robert Hoyzer, ndërsa ishte në rolin e ndihmësit gjatë një ndeshjeje Bundesligës 2. Që atëherë ai është ngritur vazhdimisht në detyrë dhe sot është një nga katër gjyqtarët gjermanë të cilëve u është dhënë statusi i Elitës nga UEFA.

Top Channel