Arrestohet 21-vjeçari, shpërndante drogë në disa zona në Tiranë

04/12/2021 11:16

Një 21-vjeçar është arrestuar nga policia pasi u kap duke shpërndarë lëndë narkotike në disa zona të Tiranës.

Mësohet se arrestimi i shtetasit A.H., banues në kryeqytet, u krye në rrugën “Nikolla Lena”, ku pasi e lokalizuan arritën ta kapin në flagrancë.

Atij iu sekuestrua 1 kg e 250 gramë cannabis sativa dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit kokainë.

Sipas policisë, 21-vjeçari pasi siguronte lëndën narkotike në sasi prej 1 deri në 2 kg, e ndante në porcione të vogla, të cilat më pas i shiste në zonën e rrugës së “Kavajës” dhe në rrugën “Nikolla Lena”, kundrejt vlerës 500 lekë të rinj një dozë cannabis sativa dhe 8000 lekë të rinj një dozë me kokainë.

Gjatë kontrollit fizik të këtij shtetasi dhe gjatë kontrollit në banesën e marrë me qira prej tij në rrugën “Nikolla Lena”, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 kg e 250 gramë cannabis sativa, një sasi lënde narkotike kokainë, 1 aparat celular dhe 2 peshore elektronike”, njofton policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

 

Top Channel