Arrestohen prindërit e 15-vjeçarit që vrau katër nxënës në Miçigan

04/12/2021 16:50

Prindërit e 15-vjeçarit që akuzohet se vrau katër nxënës në një shkollë të mesme në Miçigan janë arrestuar këtë të shtunë.

Policia njoftoi se Jennifer dhe James Crumbley, u arrestuan sot në mëngjes në Ditroid.

Prokuroria kishte ngritur akuza për vrasje paparamendim ndaj prindërve të 15-vjeçarit lidhur me ngjarjen në shkollë. Por ata nuk u paraqitën në gjykatë të premten, duke bërë që policia të lëshonte një urdhër-arresti, duke ngritur ndaj tyre katër akuza për vrasje paparamendim, injorim të shenjave paralajmëruese lidhur me ngjarjen në shkollë si dhe mbi qasjen që i kishin siguruar djalit të tyre tek arma me të cilët ai dyshohet se kreu vrasjet.

Agjencia Associated Press njoftoi se avokati i çiftit, Shannon Smith, u ka thënë autoriteteve se ata ishin larguar nga qyteti në fillim të javës, për arsye sigurie. Autoritetet kishin vendosur një shpërblim prej 10,000 dollarësh për këdo që jepte informacion mbi vendndodhjen e tyre, raporton VOA.

Djali i çiftit Crumbley, 15-vjeçari Ethan Crumbley, dyshohet se ka hapur zjarr në shkollën e mesme Oksford, në qytetin me të njëjtin emër në shtetin e Miçiganit, duke vrarë katër nxënës dhe duke plagosur shtatë persona të tjerë.

Prokurorët thanë se Ethan Crumbley kishte shfaqur disa shenja paralajmëruese. Ai kishte vizatuar një pistoletë e gjak, duke shkruar gjithashtu ‘gjak kudo’ dhe ‘mendimet nuk po më ndalen, më ndihmo’.

Prokurorët thanë gjithashtu se një mësues e kishte parë adoleshentin duke kërkuar në internet për municione, në telefonin e tij, dhe se kishte njoftuar stafin drejtues të shkollës.

Prindërit e adoleshentit, James dhe Jennifer Crumbley, ishin thirrur në shkollë disa orë para sulmit me armë, por aurtoritetet thanë se ata nuk kishin pranuar ta merrnin atë me vete në shtëpi.

Top Channel