“Akt lufte”, gjenerali amerikan: Rusia e Kina po godasin me laser satelitët tanë!

03/12/2021 16:40

Kina dhe Rusia po sulmojnë çdo ditë me laser satelitët tanë, deklaroi gjenerali i forcave ajrore amerikane David Thompson.

Beteja është e vazhdueshme, u shpreh ai për Washington Post ku theksoi se kundërshtarët e Amerikës janë duke kryer vazhdimisht operacione kundër satelitëve të Shteteve të Bashkuara.

Kjo e kapërcen konkurrencën për mbledhje informacionesh e ngjan më shumë me një akt lufte, deklaroi Thompson sipas të cilit gjasat e një konflikti po intensifikohen.

Kërcënimet po shtohen dita-ditës. Ky aktivitet zgjat prej kohësh, por tani po përshkallëzohet. Jemi vërtet në pikën kur sistemet tona hapësinore mund të rrezikohen seriozisht”, ishte pohimi i tij.

Gjenerali Thompson shpjegoi se për momentin nuk bëhet fjalë për dëme të përhershme, megjithatë situata mund të përkeqësohet.

Nga ana tjetër, ai shfaqi shqetësimin se Kina është duke avancuar me një ritëm tepër të shpejte në raport me teknologjitë e reja dhe deri në fund të dekadës, mund t`i zërë Amerikës vendin e superfuqisë numër një në hapësirë.

Kinezët janë aktualisht shumë përpara rusëve. Sistemet e tyre operacionale po përparojnë me një shpejtësi të jashtëzakonshme”, nënvizoi gjenerali.

Top Channel