Shfaqja e variantit të ri Omicron nuk ka sjellë shqetësim të shtuar, apo më shumë interes mes qytetarëve durrsakë për t’u vaksinuar, të paktën kjo nuk është reflektuar ende pranë QSH-ve.
Banorët e Durrësit ndahen në qëndrimet e tyre ndaj mbrojtjes nga vaksina, ku më dyshues ndaj saj janë të rinjtë:
-Nuk e bëj. Kam frikë.
-Po varianti j ri nuk ju frikëson?
-Jo, jam shumë mirë.’
-Mami ka frikë ndaj nuk e bën, kurse unë jam vaksinuar se e kishim detyrim në punë.
-As nuk kam ndërmend ta bëj. Omicron nuk më shqetëson fare. Jam top.
-Je vaksinuar?
– Jo.
-S’jam vaksinuar. Nuk mund ta bëj, duke dëgjuar popullin çfarë thuhet’
Që nga sot, marrja e dozës së tretë të vaksinës i ofrohet çdo qytetari mbi 18 vjeç, por duhet që dozën e dytë ta kenë bërë para jo më pak se 6 muajsh.
-Më shqetëson që kam anëtar të familjes së pavaksinuar.
-Do e bëni dozën e tretë meqë nga sot mund të bëhet?
– Patjetër.
-Do e bëj dozën e tretë, varianti i ri nuk më frikëson se ka shumë propagandë. Do t’i bëjmë vaksinat po duhet me i bë. Gjithsesi ka shumë propagandë nga kompanitë ndërkombëtare farmaceutike që duan me na i shit të gjitha.
-Dozën e tretë kam menduar ta marr të shtunën.
Procesi i vaksinimit në Durrës po vijon me ritme të qëndrueshme. Deri tani në Durrës dhe Shijak janë kryer rreth 153 mijë doza. 71 mijë persona janë vaksinuar plotësisht, ndërsa me ritme të mira po vijon procesi i marrjes së dozës së tretë nga të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike. Sipas autoriteteve shëndetësore, rritja e vaksinimit është jetike për të reduktuar rastet e Covid veçanërisht tani në dimër kur të gjithë kalojnë më shumë kohë në ambiente të mbyllura dhe rreziku shtohet.
Top Channel