Trupat e 45 viktimave të aksidentit tragjik në Bullgari janë identifikuar dhe pritet që së shpejti të transportohen në Shkup.
Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm dhe Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Hetimit në Bullgari, Borislav Sarafof konfirmoi për mediat se procesi i identifikimit është përfunduar dhe të premten trupat e viktimave do të transportohen me avionë drejt Shkupit.
Në procesin shumëditor dhe të vështirë të identifikimit, duke përdorur metodën e ADN- së, morën pjesë specialistë dhe profesorë të Mjekësisë Ligjore nga Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut. Mes 45 të vdekurve janë 12 fëmijë.
Deri më sot nuk ka asnjë konstatim zyrtar se pse zjarri në autobusin në lëvizje u shkaktua dhe u përhap aq shpejt sa shumica dërrmuese e pasagjerëve vdiqën tragjikisht.
Hetimet paraprake për rastin e licencave dhe funksionimit të agjencisë turistike “Besa Trans”, kompania që kishte në pronësi autobusin që u shkrumbua nga flakët, po i kryen Prokuroria e Shkupit, pasi është konstatuar se automjeti ishte nisur për jashtë vendit i pakompletuar me dokumente.
Gjithashtu u bë e ditur se dy shoferët e punësuar për të drejtuar autobusin nuk ishin punonjës të përhershëm të “Besa Trans” dhe njëri nuk kishte patentë shoferi për linja ndërkombëtare.
Aksidenti i rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 23.11.2021 në autostradën Struma në jugperëndim të Bullgarisë, në afërsi të qytetit të Pernikut. Autobusi me 52 pasagjerë ishte nisur nga Stambolli dhe po kthehej në Shkup. Viktimat dhe 7 personat e mbijetuar kishin qenë për një vizitë tre ditore në Stamboll dhe po ktheheshin prej andej.
Top Channel