Si Zvicra ia doli ndaj Italisë, Yakin tregon sekretin: Ata u shokuan, nuk e prisnin

30/11/2021 00:48

Italia i mbylli në barazim dy ndeshjet ndaj Zvicrës në eliminatoret e Katar 2022. Kampionët e Europës nuk ia dolën të mposhtnin helvetët, të cilët siguruan vendin e parë në grupin C dhe prenë biletën për në Botërorin e dimrit të ardhshëm.

Kombëtarja e kaltër do të luajë në fazën “play off” dhe duhet të fitojë përballjet me Maqedoninë e Veriut dhe fituesin e duelit Portugali-Turqi për të evituar më të keqen: mospjesëmarrjen e dytë radhazi në Botëror pas asaj në Rusi 2018.

Trajneri i Zvicrës, Murat Yakin rrëfen sekretet e skuadrës së tij në prononcimin e dhënë për Sky Sport, aty ku tregon se si Zvicra ia doli të dalë e pamposhtur nga dy përballjet me ekipin e Roberto Mancinit. “Jam përpjekur të shtoj dozën e krenarisë lojtarëve të mi, tentova t’u transmetoj atyre ndjesitë e duhura. I studiuam shumë mirë ndeshjet e Italisë në Euro 2020 dhe nxorëm mësime nga analiza e kryer, veçanërisht nga mënyra se si ata luanin kur nuk e kishin topin.

Ishte e rëndësishme të merrnim një pikë ndaj kombëtares së Mancinit. Ne nuk kishim fare presion, nuk e ndjenim presionin dhe një gjë e tillë i befasoi kundërshtarët tanë. U bazuam shumë te loja me intensitet të lartë, në Romë e surprizuam Italinë me intensitetin e lartë me të cilin luftuam dhe luajtëm. Ata nuk e prisnin”, deklaroi trajneri i kombëtares helvete.

Top Channel