“Hera e parë që më ndodh si trajner”, Josa: Sot kam një ankesë për ekipin

28/11/2021 00:07

Laçi humbi 1-0 në Shkodër kundër Vllaznisë, duke regjistruar humbjen e parë në kampionat me Mirel Josën në pankinë. Trajneri kryeqytetas analizoi duelin e luajtur në “Loro Boriçi”.

“Goli i pësuar? Nuk mund t’i thuash mungesë përqendrimi, thjesht ishte humbje topi. Duhet të ishim më të kujdesshëm me Hakajn në krahun e majtë, por edhe qendra e mesfushës duhet ta kishte mbyllur më mirë.

Në pjesën e parë kishim raste për të goditur Vllazninë. Mënyra se si luan Laçi nuk është mënyrë për të pritur se çfarë bën kundërshtari. Bëmë presing ndaj tyre, krijuam raste por nuk i shfrytëzuam. Në pjesën e dytë duhet të vertikalizonim më tepër, sidomos kur dolëm me dy sulmues. Nuk duhet të luanim topin shumë në krah, ishim të deklaruar në krah, ndërsa ata i morën masat. Duhet të sulmonim më shumë qendrën kur dolëm në 4-4-2.

Mazrekaj? Ne nuk e kishim përgatitur ndryshe, thjesht do të kishim më shumë mundësi për të krijuar në krahë ose qendër me Mazrekajn. Ishte një gjë që ndodhi përpara ndeshjes. Mentori ishte në formacion, më pas ndryshuam me Velijën. Në pjesën e parë duhet t’i kishim zgjidhur më drejt situatat, sidomos sa i përket goditjeve në portë apo hapjes së lojës në krah dhe luajtjes me anësorët tanë.

Nuk më ka ndodhur që një lojtar të rrëshqasë. Të gjithë lojtarët janë të rëndësishëm, por nuk dua të kapem te problemi që i ndodhi sot Mentorit. Shyqyr Zotit që nuk i ndodhi problem më i madh, shpresoj ta kemi për ndeshjen tjetër. Da Silva nuk është se prishi ekuilibrat, i dimë cilësitë e tij. Problemi nuk filloi te Da Silva, ne po vazhdonim lojën tonë me 3 mesfushorë, por duhet të kishim bërë shkallëzim më të mirë. Gjithsesi, veprimet e Vllaznisë ishte shumë të sakta dhe të drejta.

Mund të pësosh gol, problemi është që unë dua të kapem te vertikalizimi që patëm. Në pjesën e dytë kishim topin në zotërim, por nuk vertikalizuam ashtu siç duhet. Dy sulmues i futa për të futur në problematikë më tepër qendrën e mbrojtjes së Vllaznisë, përveçse për të shënuar. Të dy janë lojtarë më të mirë, por Harmon duhet të ishte futur me një dëshirë tjetër në fushë”, përfundoi trajneri i ekipit kurbinas.

Top Channel