Barcelona siguroi fitoren e dytë radhazi në La Liga me Xavin në pankinë. Ekipi katalanas triumfoi 1-3 në takimin jashtë fushe ndaj Villareal.

Pjesa e parë nuk prodhoi asnjë gol, edhe pse të dy skuadrat krijuan rastet e tyre. Fraksioni i dytë i takimit nisi mirë për Barcelonën, që kaloi në avantazh në minutën e 48-të.

Frenkie De Jong shfrytëzoi një pritje jo shumë të sigurt të portierit vendas, dhe nuk e pati të vështirë të dërgojë topin në rrjetë. Villareal reagoi dhe ia doli të rikthejë baraspeshën falë golit të Samuel Chukwueze (76’). Sulmuesi nigerian veproi shpejt pas një pasimi të marrë nga Danjuma dhe mposhti gjermanin Ter Stegen me një gjuajtje të befasishme.

Skuadrat u hapën dhe kërkuan golin e avantazhit, por atë e gjeti Barcelona dy minuta përpara fundit të ndeshjes. Memphis Depay përfitoi nga një gabim i mbrojtjes vendase dhe gjeti golin e tetë sezonal në kampionatin spanjoll. Miqtë fituan një penallti në minutat shtesë, të cilën Coutinho e ktheu në gol.

Suksesi i sotëm ka ngjitur Barcelonën në vend të shtatë me 23 pikë, shtatë më pak se Reali kryesues, që luan nesër ndaj Sevillas në “Santiago Bernabeu”. Në ndeshjet e tjera të ditës së sotme në La Liga, ra në sy fitorja 1-2 e Celta Vigos në fushën e Alaves. Valencia nuk shkoi më shumë se barazimi shtëpiak 1-1 ndaj Rayo Vallecanos (Ivan Balliu e luajti të plotë ndeshjen), ndërsa përballja Mallorca-Getafe përfundoi në barazim pa gola.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA