Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau, me të cilin ka biseduar për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror.
Kryeministri Trudeau ka përgëzuar Presidenten Osmani për mandatin që ka për të shtyer përpara shumë nga vlerat që kanë rëndësi për Kanadanë. Edhe në këtë takim presidentja Osmani ka folur rreth diskursit siç thotë ajo nxitës nga Serbia i mbështetur edhe nga shtrirja e ndikimit rus në rajon.
Në komunikatën për medie nga zyra e presidentit thuhet se kryeministri kanadez “theksoi se qëndrimi i vendosur i Presidentes për demokracinë dhe kundër korrupsionit, pikëpamjet progresive qoftë për mjedisin apo për fuqizimin e grave, janë fusha në të cilat Kanada pret të punojë me Kosovën”.
Presidentja Osmani tha se mund të hapen kapituj të ri të bashkëpunimit me Kanadanë, nga fusha e mbrojtjes e diplomacisë e deri tek tregtia e arsimi. Sipas saj, Kosova mund të përfitojë nga përvoja kanadeze, posaçërisht sa i përket përfshirjes së grave në vendimmarrje.
Top Channel