Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha,. Në fjalën e tij në seancën plenare, ka folur për protestën e fermerëve dhe arsyet që e kanë çuar këtë kategori në një protestë disa ditë me parë në Lushnjë, dhe sot jashtë ambienteve të Kuvendit.
Basha shprehet se pavarësisht deklarimeve të qeverisë, buxheti për bujqësinë do të jetë më i ulët se ai i vitit të kaluar, ndërsa favorizon direkt ata që i ka quajtur oligarkë.
Basha: Ndërsa këtu pseudomazhoranca bëhet gati të votojë sy mbyllur për mënyrën se si do të shpenzohen taksat e qytetarëve vitin e ardhshëm dhe ato në vijim, përfaqësuesit e fermerëve që përfaqësojnë 40% të të punësuarve në Shqipëri, kanë harxhuar para nga xhepat e tyre për të udhëtuar drejt Tiranës, që t’u dëgjohet zëri.
Mos tu shkelet sakrifica, mos tu hidhet tutje mundi, t’u respektohet vështirësia që kanë për të bërë punën e tyre, për të nxjerrë bukën e gojës, për të shkolluar fëmijët, për t’i dhënë këtij vendi 20% të prodhimit të brendshëm bruto.
Shifër kjo më e larta në rajon dhe në Europë, që tregon se sa peshë ka bujqësia në ekonominë tonë, e që vetëm për këtë arsye duhet të dëgjohen përpara se të ngrihen kartonat, me sytë e veshët mbyllur.
Janë njerëz që vetëm japin, vetëm kontribojnë, dhe në këmbim nuk marrin asgjë, krahasuar me kolegët e tyre në rajon, pa përfshirë fare Europën. Sepse arkat e shtetit që ata vetëm i mbushin me taksa të larta të dretjpërdrejta e të fshehura, ky kryeministër dhe ministrat e tij i zbrazin pa teklif.
Aq të papërfillshëm janë këta qytetarë për ju, që gdhihen dhe ngrysen me shqetësimin e të nesërmes, me ankthin e konkurrueshmërisë së produkteve të tyre, me pamundësinë për t’u përballur me produktet e rajonit që subvencionohen shumë herë më shumë se këtu, saqë jo vetëm nuk i dëgjoni, por i ofendoni me teatrin që ngjallë krupën, ku përdorni edhe gaztorët e oborrit tuaj, që nginjen nga koncesionet dhe syshkeljet tuaj, që i kanë shndërruar në oligarkë arrogantë.
Ata protestojnë sot, siç kanë protestuar me të drejtë çdo vit, që mos të gjenden përballë rrugës së vetme ku i çoni me shpërfilljen tuaj, te flakja e produkteve dhe largimi nga Shqipëria.
Protestojnë sepse ndryshe nga sa përrallisni lart e poshtë, buxheti për bujqësinë për këtë vit, do të jetë më i ulët se i vitit të shkuar.
Protestojnë sepse përveç rritjes së çmimeve të inputeve bujqësore që po e ndjejnë në xhepat e tyre, do të përballen edhe me rritjen shtesë me 10 % të çmimit, meqënëse ju vendosët të shtoni me 10% TVSH-në, e po ashtu po hiqni 6% e TVSH-së së kreditueshme.
Protestojnë sepse në vend të mbështesni prodhimin vendas, po e godisni në të gjitha hallkat e zinxhirit të ekonomisë së ushqimit.
Por mbi të gjitha, protestojnë sepse ju nuk jeni konsultuar me askënd për këto masa që po e dëmtojnë bujqësinë, po i dëmtojnë familjet që jetojnë me tokën dhe blegtorinë, dëmton bizneset që kanë investuar në këtë sektor, protestojnë sepse nuk keni dëgjuar grupet e interesit përpara se të merrni angazhime që do të prodhojnë efekte negative të drejtpërdrejta në veprimtarinë e tyre.
Dhe përsëri, fatkeqësisht kontrasti midis asaj që deklaroni dhe asaj që bëni është shumë i qartë, dhe shihet në zemëratën e atyre burrave dhe grave që mblidhen pak metra nga kjo ngrehinë, sepse janë përpara Parlamentit të vendit më bujqësor në Europë, ku bujqësia ka një impakt prej 20% në prodhimin e brendshëm, dhe jep mbështetjen më të vogël në Europë për fermerët.
Top Channel