Papa Françesku u lut për viktimat e aksidentit të tmerrshëm në Bullgari, ku humbën jetën mes flakëve 45 persona, shumica shqiptarë.
Një pjesë e madhe e tyre ishin fëmijë dhe të rinj, çka i shton edhe më shumë përmasat e kësaj tragjedie, e cila pati jehonë në të gjitha mediat më të mëdha të botës, duke shokuar opinionin publik.
Ati i Shenjtë shprehu trishtimin e tij të thellë për jetët e humbura në atë fatkeqësi që nuk do të shuhet lehtë nga kujtesa e përbashkët.
Në një telegram të nisur në emër të tij nga Sekretari i Shtetit i Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, drejtuar presidentit maqedonas, Stevo Pendarovski, Papa përcolli solidaritetin e tij të plotë me të gjithë njerëzit që u prekën nga kjo tragjedi, me në mendje sidomos fëmijët që u shuan në aksidentin fatal.
“Zoti i ka mëshiruar shpirtrat e tyre”, thuhet në mesazhin ku shtohet se Papa kërkoi bekimin hyjnor për të gjithë të prekurit, që të gjejnë ngushëllim dhe paqe.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan përcolli gjithashtu ngushëllimet e tij.
“Ndjeva dhimbje të thellë për aksidentin e dhimbshëm që patën në Bullgari vëllezërit dhe motrat tona nga Maqedonia e Veriut, të cilët po udhëtonin nga Stambolli në Shkup. Lus Allahun t`i mëshirojë vëllezërit dhe motrat tona që humbën jetën në këtë tragjedi e cila ka na pikëlluar thellë mua dhe popullin turk, si dhe t`u japë durim familjeve të viktimave”, u shpreh ai.
Presidenti turk përcolli ngushëllimet edhe për popullin maqedonas, ndërsa të plagosurve i uroi shërim të shpejtë.
Top Channel