Ndryshimi i brave të PD-së në Fier, reagon Kapllanaj: Zyrat u morën në dorëzim nga funksionarë të kësaj partie, Baçi ka dhënë dorëheqje

25/11/2021 16:13

Kryetari i Komanduar i degës së Partisë Demokratike Fier, Agron Kapllanaj këtë të enjte ka sqaruar incidentin e ndryshimit të bravës së zyrës së PD-së në këtë qytet, duke theksuar se zyra u mor në dorëzim nga funksionarë të kësaj partie të ardhur nga selia qendrore.

Zyrën e Partisë Demokratike, dega Fier e kam marrë në dorëzim nga funksionarë të PD-së në qendër, të cilët kanë ardhur me një procesverbal dhe më kanë dhënë edhe çelësat, por edhe bazën materiale. Nëse jeni të interesuar ju tregoj edhe procesverbalin. Kjo është një zyrë e PD-së dhe e demokratëve të Fierit”, tha kreu aktual i PD-së, dega Fier.

Në një deklaratë për mediat, Kapllanaj tha se deri në zgjedhjet e tjera për kryetar të degëve, do të jetë ai në krye të saj.

Unë nuk kam thirrur asnjë mbledhje urgjente. Unë jam komanduar të drejtoj degën e Partisë Demokratike të Fierit, derisa kjo degë të shkoj në zgjedhje sipas Statutit të PD-së, që më rezulton të jenë vitin e ardhshëm”, tha ai.

Në lidhje me ndryshimin e bravës së zyrës, Kapllanaj tha se nuk e kupton dot se nga ka ardhur ky shqetësim, për vetë faktin se këto janë zyra të PD-së, dega Fier.

Ish-kryetari i kësaj dege ka më shumë se një vit që ka dhënë dorëheqjen dhe ky vend ka qenë vakant. Me vendim të Kryesisë të Partisë Demokratike unë jam komanduar të drejtoj këtë degë deri në zgjedhjet e ardhshme”, tha ai.

Më herët, Top Channel mësoi se Luan Baçi i shoqëruar nga anëtarë të degës së PD-së Fier janë paraqitur në ambientet e Komisariatit dhe e kanë denoncuar ndryshimin e brave të zyrës.

Paraprakisht, dyshohet se shkak për ndërmarrjen e këtij veprimi, janë bërë takimet e foltores së ish-kryeministrit Sali Berisha.

Kohë më parë vetë Luan Baçi sqaroi se nuk ishte shkarkuar nga posti i kryetarit të degës. Ai foli për një takim me Lulzim Bashën dhe kërkesën e kryedemokratit që ta zëvendësojë me Agron Kapllanaj.

Kapllanaj u emërua kryetar dege në Fier, pasi Luan Baçi vendosi të kandidojë në zgjedhjet parlamentare e 25 prillit. Emërimi është bërë më datë 19, në të njëjtën ditë kur është zhvilluar takimi Basha-Baçi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA