Gazeta amerikane “The Wall Street Journal” i ka kushtuar një artikull narko trafikantit shqiptar Dritan Rexhepi, i cili thuhet se ndodhet në një burg në Ekuador. Ai është cilësuar si një trafikant “i pakapshëm” dhe që përmbyti europën me drogë.
Artikulli i plotë i gazetës “The Wall Street Journal”
Operacioni shumëvjeçar ekspozoi sesi grupet e reja kriminale po përfitojnë nga globalizimi për ta kthyer Europën në një rivale të SHBA-së si tregu më i madh për kokainën, sipas DEA-s amerikane.
Policia thotë se shqiptari, Dritan Rexhepi, e merrte kokainën nga Kolumbia nga një shoku i tij i burgosur. Duke përdorur një celular të fshehur, ai organizoi dërgesa me vlerë qindra miliona dollarë në anije me kontejnerë në portet në Holandë, transferoi të ardhurat dhe urdhëroi sulme ndaj kundërshtarëve, duke përfshirë dy vrasje, sipas zyrtarëve italianë.
Rrugët e ngarkuara tregtare, kufijtë e hapur dhe komunikimet moderne të sigurta kanë ndihmuar grupe si i Rexhepit të nxisin etjen e Europës për kokainë. Operacioni për rrëzimin e rrjetit të tij, i udhëhequr nga Komisionerja e Policisë së Firences, Erminia Del Prete dhe që përfshin prokurorë dhe kolegë vendas në të gjithë Europën, ishte një sukses i dukshëm për autoritetet në kontinent, të cilët po luftojnë për të ndërprerë fluksin.
Pjesa më e madhe e dërgesave hyjnë në Europë përmes porteve komerciale të fshehura në kontejnerë që janë shumë të shumtë për t’u kontrolluar. Sapo del në breg, kokaina zhduket shpejt. Vendet e Bashkimit Europian kanë hequr kufijtë e brendshëm, por forcat e policisë mbeten kombëtare. Europol, agjencia policore e BE-së, është bërë një qendër thelbësore për bashkëpunim, por zyrtarët thonë se pengesat gjuhësore dhe burokratike mbeten dhe se atyre u duhen më shumë burime.
Janë shfaqur grupe të reja kriminale. Zyrtarët europianë thonë se rrjeti i zotit Rexhepi, i njohur si Kompania Bello, ishte një nga më të mëdhenjtë e lidhur me Shqipërinë, një vend i vogël ballkanik me një diasporë të madhe në Europë.
“Grupet shqiptare janë vërtet të forta,” thotë Francesco Messina, drejtor antikriminal i policisë së Shtetit të Italisë. “Ata kanë pushtuar tregun e kokainës aq shumë sa që tani janë ndër grupet më të forta kundër të cilave duhet të luftojmë.”
Hetimi gjashtëvjeçar përfundoi shtatorin e vitit të kaluar duke shënuar më shumë se 100 arrestime në 10 vende për trafik ndërkombëtar droge dhe sulme. Italia i ka kërkuar Ekuadorit ekstradimin e z. Rexhepi me akuzën e krijimit dhe drejtimit të një shoqate kriminale transnacionale të angazhuar në trafikun e drogës dhe pastrimin e parave.
Rexhepi, 41 vjeç, nuk mund të kontaktohej për koment. Avokati i tij në Ekuador u qëllua dhe u vra në prill. Një avokat që e ka përfaqësuar së fundmi në Shqipëri nuk pranoi të komentojë.
Autoritetet e burgut në Ekuador thanë se të burgosurit nuk kanë akses te celularët. Në praktikë, autoritetet njoftojnë rregullisht se kanë konfiskuar telefona, drogë dhe armë nga të burgosurit.
Të dhënat e ngritjes dhe rënies së grupit të Rexhepit bazohen në intervista me një duzinë zyrtarësh të zbatimit të ligjit italianë dhe europianë, si dhe në dokumentet e gjykatës italiane.
Operacioni që futi në kurth Rexhepin filloi me një kontroll policor në Forence në vitin 2014. Policia ndaloi disa shqiptarë që grindeshin për biznesin e prostitucionit dhe hetimet e mëtejshme zbuluan lidhje të mundshme me trafikun e drogës.
Gjatë një kontrolli apartamentesh, policia zbuloi një BlackBerry që përmbante 10 PIN, kode të lidhura me pajisje të tjera, por pa emra apo numra telefoni për të identifikuar pronarët e tyre.
Një gjykatës urdhëroi “BlackBerry Ltd.” të sigurojë akses në mesazhet e koduara të një PIN-i që ishte ende aktiv. Mesazhet zbuluan se një grup shqiptarësh sillnin kokainë nga Holanda për të furnizuar një grup të fuqishëm kriminal në jug të Italisë.
“Këtu e kuptuam se ata duhet të jenë një organizatë e madhe me tregun e vet,” thotë zonja Del Prete, një veterane policie 33-vjeçare e mësuar të përleshet kryesisht me tutorët vendas dhe shitësit e drogës.
Policia fitoi akses në më shumë PIN ndërsa vendet e tjera iu bashkuan hetimit, duke zbuluar se shqiptarët po përdornin Holandën si një qendër për të shpërndarë kokainën në të gjithë Europën.
Del Prete dhe katër kolegë të saj lexuan mesazhe nga e gjithë bota që mbërrinin pothuajse në kohë reale. Ekipi i saj krijoi llogari të rreme në rrjetet sociale për të monitoruar profilet e të dyshuarve, duke përdorur “pëlqime” dhe komente në foto për t’i përshtatur ato me llogaritë e BlackBerry.
Në vitin 2016, ata e dinin se mbreti ishte në Ekuador, por nuk mund ta identifikonin atë. Më pas, të dhëna të çuditshme dolën nga bisedat e tij.
“Po dal për ajrosje”, shkroi ai në një mesazh. “Më duhet të fsheh telefonin tim,” tha ai në një tjetër.
Kur në një bisedë tjetër ai përmendi një dënim, zonja Del Prete thotë se ai ishte pas hekurave dhe policia shpejt e identifikoi Rexhepin. Ai u formësua nga gjendja ekonomike dhe dhuna kriminale që pushtoi Shqipërinë në vitet 1990, pasi vendi doli nga sundimi komunist.
Në vitin 1999, kur ishte ende adoleshent, ai qëlloi me breshëri Kallashnikovi një polic në një local. Ai ishte paguar për atentatin dhe plumbat e tij vranë edhe dikë tjetër, sipas Arben Frashërit, një ish-prokuror i lartë shqiptar. Policia e arrestoi Rexhepin vetëm në janar 2006 në kryeqytet, Tiranë.
Po atë mbrëmje, Rexhepi u arratis nga dhoma e marrjes në pyetje pasi hapi me gisht një bravë me defekt dhe i tha një roje që policia kishte mbaruar punë me të. Një gjykatë më vonë e dënoi në mungesë për vrasje.
Ky ishte i pari nga tri arratisjet nga burgu pasi policia europiane e ndoqi në të gjithë kontinentin për trafik droge dhe akuza të tjera. Në Itali, ai sharroi hekurat e qelisë dhe u arratis. Në Belgjikë, ai shpëtoi duke u ngjitur mbi një mur.
Një reporter shqiptar vitin e kaluar publikoi atë që ai tha se ishte një intervistë me Rexhepin, në të cilën i dënuari tha se akuzat e rreme të vrasjes e kishin bërë atë të largohej nga vendi, duke I pamundësuar sigurimin e një pune legjitime në Europën Perëndimore dhe detyruar ti futej jetës së krimit dhe të drogës.
“Instinkti i mbijetesës më çoi në atë drejtim”, citohet të ketë thënë ai.
Herën tjetër që policia e kapi ai ishte në Ekuador në qershor 2014, në posedim të më shumë se 272 kg kokainë, sipas Interpolit, organizatës ndërkombëtare të policisë.
Në burg Rexhepi ishte aleat me një trafikant droge nga Ekuadori me lidhje me kartele të fuqishme në Kolumbi dhe Meksikë. Kokaina dërgohej përtej Atlantikut me anije me kontejnerë, kryesisht në portet e Holandës, ku një anëtar i bandës kishte lidhje korruptive.
Rreth 50 kg kokainë në ditë do të silleshin në breg, do të hidheshin në qendrat e magazinimit dhe përpunimit, më pas do të transportoheshin në Itali dhe tregje të tjera duke përdorur makina me shtresa të dyfishta.
Rexhepi kishte nën urdhra të drejtpërdrejtë një numër shqiptarësh në Ekuador, Holandë, Itali dhe Shqipëri dhe partnerë biznesi në pjesën më të madhe të Europës Perëndimore, të cilët kontrollonin kanalet e shpërndarjes së kokainës në të gjithë kontinentin. Ndërsa grupi i Rexhepit u zgjerua, ai kërkoi të dallohej.
“Le të dalim në treg me emrin tonë”, i shkruante koordinatori i grupit në Itali Rexhepit në mars 2016. “Marka jonë ende nuk njihet”.
Rexhepi ia ktheu, duke propozuar emrin Bello, apo e bukur. Tullat me kokainë të grupit u vulosën shpejt me këtë markë. Rexhepi e drejtoi kompaninë Bello me karizëm dhe dhunë. Ai urdhëroi sulme dhe të paktën dy vrasje, një në Ekuador dhe një në Shqipëri, sipas policisë italiane. Bashkëpunëtorët e arrestuar refuzuan të flisnin, duke përmendur frikën e hakmarrjes ndaj familjeve të tyre, thotë zonja Del Prete.
Shqiptarët në vështirësi i drejtoheshin atij për ndihmë. Kur Rexhepi zbuloi se tre bashkatdhetarë ishin arratisur nga një burg i Romës në orën 3 të mëngjesit në fund të vitit 2016, ai organizoi një gomone për t’i marrë në bregdetin jugor të Italisë për t’i çuar në Shqipëri.
Rexhepi lëvizi para përtej Atlantikut duke përdorur sistemin kinez, ose “paratë fluturuese”, ku paratë e depozituara te një agjent në një vend mund të tërhiqen nga dikush në një vend tjetër, kryesisht pa lënë gjurmë.
Ai gjithashtu kursente para në komisione duke përdorur korrierët e tij. Në qershor 2016, policia e Firences informoi kolegët ekuadorianë, të cilët kapën një korrier në aeroportin Guayaquil me 350,000 euro, të fshehura në anët e një valixheje.
Ekipi i zonjës Del Prete festonte çdo kapje parash dhe kokaine me një shishe Prosecco ose konjaku grek (Metaxa-shënim i Politiko). Rreth 20 shishe tani rrinë mbi një raft në zyrën e saj të vogël.
“Ishte një provë e madhe për ne,” thotë ajo. “Nuk kishim bërë diçka të tillë më parë këtu në Firence./Gazeta Shqip
Top Channel