Fermerët protestuan sot para parlamentit, ndërsa deputetët hynin në sallë, duke kërkuar subvencionim për prodhimet bujqësore.

Ata i priti në zyrë kryeministri Edi Rama, ku tha se qeveria synon që pikat e grumbullimit të kenë një financim të përbashkët, teksa shtoi se shifrat e eksporteve sot vetëm rriten. Rama fajësoi grumbulluesit, pasi sipas tij, ata hedhin gurin dhe fshehin dorën.

Por, sipas deputetit demokrat, Saimir Korreshi që ka qenë pranë fermerëve në protestat e tyre, qeveria nuk ka asnjë plan konkret për t’i ndihmuar ata.

Kërkesat e fermerëve nuk janë shqyrtuar nga një grup pune. Të merren, të analizohen dhe t’u jepet një përgjigje. Kemi një ministri të tërë (Ministria e Bujqësisë) që merret me këtë punë, që është në gjumë. Nuk ka guximin t’ia parashtrojë kryeministrit të tilla probleme”, u shpreh Korreshi në një lidhje ‘live’ për “Top Talk”.

Sipas tij, fermerët sot po braktisin serrat, ndërkohë që gati 40-50% e krahut të punës në Shqipëri është në bujqësi.

Kryeministri Rama u shpreh se në buxhet janë përcaktuar 32 milion euro për bujqësinë, por deputeti demokrat ironizoi, duke thënë se “po u jep opingat fermerëve. Vetëm 3.2 milion janë direkt për fermerët. Vitin e kaluar, nga këto 1.5 kanë kaluar për reklama, për panaire”, tha ai.

Korreshi përsërit kërkesën e fermerëve që duan të barazohen me vendet e rajonit: “Maqedonia e Veriut dhe Serbia grumbullojnë më pak produkte bujqësore por shpenzojnë shumë më shumë. Duhet dhe rregullimi i formalitetit të tregut”.

Sipas tij, “fermerët i i shesin produktet pa TVSH, pasi nuk kanë interes ta çojnë me fatura sepse nuk rimbursohen në asnjë kilogram”.

Kërkesat e fermerëve:

1. Subvencionim direkt i fermerit me 10 lekë për kg
2. Barazim i TVSH në shitje dhe blerje
3. Pezullim i TVSH për plehrat kimike, inputet bujqësore
3. Subvencionim 3 lekë për eksportuesit
5. Laboratorë analizash për tokat dhe perimet
6. Garanci për paget e faturave nga grumbulluesit

Top Channel