Champions League/ Dzeko thyen Shakhtarin dhe afron Interin me kualifikimin, Ajax pa rivalë

25/11/2021 00:44

Fitore me aromë kualifikimi për Interin në Champions League, teksa Ajax nuk ndalet as në Turqi përballë Besiktasit, duke siguruar triumfin e pestë në po kaq ndeshje në këtë kompeticion.

Kampionët e Italisë mposhtën 2-0 Shakhtar Donetsk në “San Siro”, sfidë që u zgjidh nga Edin Dzeko. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, teksa bomberi boshnjak tundi rrjetën ukrainase dy herë brenda gjashtë minutave. Në të dy aksionet nuk mungoi protagonizmi i Ivan Perisic, i cili dhuroi dy krosime nga krahu i majtë. Dzeko shënoi golin e parë pas një gjuajtje potente dhe të dytin me kokë.

Suksesi i sotëm ka ngjitur skuadrën e Simone Inzaghit në krye të grupit D me 10 pikë, një më shumë se Reali (9) që luan në Moldavi kundër Sherifit vendas (6), ndërsa djemtë e De Zerbit mbyllin grupin me vetëm një pikë. Ajax ishteskuadra e parë që siguroi kualifikimin në 16 skuadrat më të mira të Europës. Pavarësisht arritjes së objektivit në grupin C, “Harkëtarët” fituan 1-2 me Besiktas, që nuk ia doli as sot të marrë pikën e parë. Rachid Ghezzal ktheu në gol një penallti në mesin e pjesës së parë, që u mbyll me avantazhin e bardhezinjve turq. Gjithsesi, vendasit nuk i kishin bërë mirë llogaritë me Sebastian Haller, i cili realizoi dy gola dhe i dhuroi fitoren e pestë Ajaxit.

Goli i nëntë në fazën e grupeve për sulmuesin nga Bregu i Fildishtë, i cili kryeson i vetëm renditjen e golashënuesve më të mirë në Champions League. 27-vjeçari ka vendosur një rekord fantastik, duke parakaluar Erling Haaland dhe duke u bërë lojtari i parë në histori që shënon 9 gola në 5 ndeshjet e para të zhvilluara në këtë turne.

Top Channel