Në Shqipëri, ish kryeministri dhe drejtuesi i Partisë Demokratike, Sali Berisha përjashton në mënyrë kategorike, krijimin e një force të re politike.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai shprehet i bindur se kuvendi i thirrur prej tij dhe mbështetësve të tij më 11 dhjetor do të shënojë një rithemelim të kësaj partie të cilën synon ta drejtojë sërish. Zoti Berisha nuk sheh si pengesë për të ardhmen e Partisë Demokratike faktin që është shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara, pasi këmbëngul se është një vendim i pabazuar në fakte dhe prova. Zoti Berisha mohon që lëvizja e ndërmarrë prej tij, për të eleminuar zotin Basha, të jetë një hakmarrje personale ndaj kryetarit demokrat për largimin nga grupi parlamentar, si pasojë e vendimit të Departamentit amerikan të Shtetit.
Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, së pari ju falenderoj për mundësinë e kësaj interviste. Ju keni ndërmarrë një fushatë të ashpër kundër kryetarit të Partisë Demokratike, e paprecedentë kjo lëvizje, brenda partisë tuaj. Por ajo për të cilën dua t’ju pyes është kësaj force, pse sot demokratët apo qoftë dhe opinioni publik, duhet të besojnë se lëvizja që ju keni ndërmarrë nuk është thjesht një hakmarrje personale ndaj zotit Basha pas vendimit për largimin tuaj nga grupi parlamentar, për shkak se departamenti i Shtetit ju shpalli non grata?
Z. Sali Berisha: Në këtë lëvizje nuk ka absolutisht asgjë personale. Ka dy probleme themelore, për të cilat unë gjykoj se Lul Basha nuk duhet të qëndrojë më asnjë minutë, por duhet të kishte dhënë dorëheqjen si kryetar i Partisë Demokratike. Problemi i parë dhe më themelor, janë katër humbje elektorale njëra pas tjetrës. Humbje të cilat shënojnë pas 8 vitesh qeverisje skandaloze, disfatë të plotë të kësaj partie, Partisë Demokratike. Në 2021 PD ka marrë 74 mijë vota më pak, po të bëhet sipas koalicioneve, krahasuar me vitin 2013.
Lulzim Basha erdhi më 25 prill 2021, si lider që u votua vetëm nga 19 përqind e elektoratit të PD, pra erdhi si lider i thyer dhe nuk premton në mënyrë absolute fitore.
Së dyti, problemin e shpalljes non grata nga Departamenti i Shtetit, unë e mbajta krejtësisht një çështje private, një betejë abosolutisht private. Dhe për këtë qëllim unë zgjodha dy linja të betejës sime, së pari gjyqësore, që në fillim ju drejtova gjykatës në Partis, së dyti, unë informova, mora një fushatë të gjerë informative, pranë miqve të mij, por jo vetëm miqve të mij, për shembull çdo senatori, çdo kongresmeni të SHBA-ve duke mos kërkuar asgjë prej tyre, veçse duke informuar se është abuzuar me ligjin e Kongresit dhe se unë i jam drejtuar gjykatës. Pra çështja ime u mbajt personale pa u përfshi në asnjë rast PD, dhe duke i thënë kryetarit që partia nuk duhet të përfshihet në këtë rast. Ne jemi parti proamerikane, properëndimore dhe ne nuk përfshihemi në një debat të tillë.
Zëri i Amerikës: Më falni që ju ndërpres zoti Berisha. Që nga maji kur doli vendimi i Departamentit deri në shtator kur zoti Basha ishte mjaftuar me shprehjen e keqardhjes, marrëdhëniet mes jush nuk duket se kishin ndryshuar. Ndërkhë që në këtë periudhë kohore pati zhvillime të rëndësishme në PD, pati një garë për kryetar e cila u zhvillua me shumë debate dhe kritika nga kandidatë, pati një kuvend, në të cilin u fiksua përqafimi juaj me zotin Basha, ditën e votimit për kryetar ju qëndruat mbi një orë në zyrën e zotit Basha. Dhe nuk i ngritët çështjet që shtroni sot…
Z. Sali Berisha: Shumë e drejtë. Në datën 20 maj, në konferencën e shtypit në hotel Rogner kam bërë një deklaratë në të cilën jam shprehur se vendimi im largim pa kthim merr fund. Unë do rikthehem dhe do luftoj për çdo funksion dhe post në harkun kushtetues të Republikës së Shqipërisë. Dhe këtë Lulzim Basha sigurisht e lexonte shumë mirë, dhe kjo nënkuptonte së pari rikthimin tim në PD. A do të pranoja unë Lulzim Bashën kryetar të PD, pas katër disfatave elektorale. Jo kurrë. Unë do përpiqesha brenda PD të grumbulloja mbështetje që ai të largohej.
Por a duhej unë të futesha në garë, pasi në mënyrën më të padrejtë dhe pa asnjë, fakt, dokument, argument shpallem non grata? Ajo nuk ishte në dinjitetin tim, se ajo tregonte sikur unë po kërkoj strehë tani në një garë partiake, apo ombrellë, nuk kisha qëllim unë ombrellën…
Zëri i Amerikës: Po ku është ndryshimi, pas tre muajsh?
Z. Sali Berisha: Tani po, shumë e drejtë. Lulzim Basha shkeli në mënyrën më flagrante statutin dhe sovranitetin e PD. Çfarë ndodhi? Këtu në gusht, erdhi zoti Philip Reeker, me të cilin kisha bashkëpunuar gjatësisht në vitet e pushtetit dhe ai i kërkon këtij që unë të mos jem në parlament. Pse bëhet kjo? Kjo bëhet meqenëse në dosje nuk ka asnjë fakt, argument, provë, që unë të rëndohesha politikisht dhe të triumfonte shpifja mbi mua. Basha më thotë, që më kërkoi këto zoti Reeker. I them kategorikisht jo! Kjo është çështje sovraniteti. Sa të jemi një vend i lirë, Sovran, anëtar i NATO-së, Këshillit të Europës, vetëm ligjet dhe zgjedhësit shqiptarë do përcaktojnë se kush do futet në parlament dhe askush tjetër.
Pas kësaj, ambasadorja bëri deklaratën e njohur të “barit” dhe unë ju përgjigja. Dhe pas deklaratës, u bënë përpjekje të mëdha, deri në idenë e votimit të një ligji, gjë të cilën, kreu i qeverisë, që qëndron pas kësaj dosje, siç thotë vetë Sekretari Shtetit në raportet e tij, nuk pranoi të bënte një ligj për të përfshirë përcaktimin në ligjin për dekriminalizimin. Atë që nuk pranoi ta bënte kreu i Qeverisë e pranoi ta bëjë kryetari i PD, i cili ka marrë pjesë aktive në procesin e “përcaktimit”. Në ç’kuptim?
Kur doli dosja Muzin, miqtë e mi në SHBA, më informuan se kryetari i PD-së mund të ndiqet penalisht për shkelje të rënda ligjore që ka bërë me transfertat e parave në SHBA, tek Nick Muzin. Unë besoja gjithnjë, jo variantin që më serviri miku im, apo dhe që më serviri ambasadori Donald Lu, por atë që më servirte Lulzim Basha, i cili më thoshte se nuk kam bërë asnjë shkelje ligjore.
Së dyti, po këto burime më informojnë se ky i thotë ambasadores, dhe jo vetëm ambasadores, se të gjitha vendimet i merr Sali Berisha, mi dikton Berisha, ndërkohë që ai ju thoshte ju gazetarëve se unë marr çdo vendim vetë. Të njejtën gjë më informon dhe një burim tjetër brendshëm, shumë i besueshëm që ky deklaron se vendimet nuk janë të miat, në një kohë kur vendimet ishin krejtësisht të tijat.
Pra unë këto ja kisha thënë Lulzim Bashës, se ai në bisedë e sipër më kishte informuar se ambasadorja i thotë atij se ne e kemi paralajmëruar Berishën. I them se zotëri, mua kurrë një paralajmërim, përveç Edi Ramës, që më tha në vitin 2019, në janar më duket, se nuk mund të kalosh Atlantikun, se ke bërë konspiracion kundër politikës së jashtme të SHBA-ve, për kundërshtimin e ndryshimit të kufijve, kjo ishte teza e Xhorxh Sorosit.
I them, Lul nuk më ka thënë mua njeri se po dezinjohesh, por çfarë më kanë thënë mua, më kanë thënë se ti i ke thënë ambasadores dhe jo vetëm ambasadores, se prapa të gjitha vendimeve është Berisha dhe se Berisha kontrollon totalisht çdo vendimmarrje në PD. Këtë ja kisha thënë dhe unë nuk mund të merresha me problemet e tij, për çështje personale.
Pse u mora pastaj? U mora se në shkelje flagrante të statutit të partisë, përjashton Sali Berishën nga grupi parlamentar, një ditë përpara nisjes së parlamentit, nën presionin, siç tha ai, e tmerrshëm të ambasadores Yuri Kim dhe kërcënimeve që ai rreshtonte në fantazinë e tij nëse nuk do ndodhë ky përjashtim.
Atëherë vetkuptohet kisha dy çështje. Së pari do mbroja sovranitetin e PD. Partia Demokratike nuk mund të marrë kurrë vendimet të diktuara nga askush përveç nga anëtarësia e saj. Së dyti do të mbroja kushtetutën e PD. Statuti i PD, nuk jep asnjë kompetencë në masa disiplinore kryetarit. Që të gjitha i ka Këshilli Kombëtar dhe me dy të tretat. Lulzim Basha i komunikoi publikut një vendim që është zero dhe sot, pa asnjë konsultim me asnjeri. Më tha mua 20-30 minuta përpara. I thashë që do të kundërvihem me të gjithë forcën time për të mbrojtur statutin dhe ligjshmërinë. Dhe kjo ndodhi. Pra unë nuk po mbroj asgjë personale. Përkundrazi, po mbroj kushtetutën e Partisë dhe sovranitetin e forcës politike, pasi një forcë jo sovrae nuk vjen kurrë në pushtet. Është fasadë, fiksion dhe jo realitet
Zëri i Amerikës: Sapo përmendët çështjen Muzin, apo siç e keni quajtur dosjen përvëluese të Lulzim Bashës, keni përmendur dhe çështjen Toyota Yaris. Por po të kthehemi pas në kohë, ju keni qenë ndër mbrojtësit e tij më të flaktë për rastin Muzin. E po kështu, keni përshendetur denoncimin e tij për Toyota Yaris. Tani kujt qëndrimi duhet t’i besojmë?
Z. Sali Berisha: Jua shpjegoj. Ambasadori Donald Lu më erdhi në zyrë dhe më solli disa dokumenta të cilat në mënyrë absolute nuk faktonin se si është bërë transferta e parave. Se gjithshka te dosja Muzin është te transferta e parave. Donald Lu m’u shpreh se janë para ruse. Dhe unë e sigurova se nuk janë para ruse. Dhe sot e them. Nuk janë para ruse. Por na të kohë, Lulzim Basha më shpjegoi se paratë u mblodhën nga biznesmenë shqiptaro-amerikan të SHBA. Nuk kishte se si të mos e besoja. Ai më gënjeu. Dhe më vonë kur Nick Muzin ra në një tjetër hetim, ai pranoi të flasë dhe të thotë të vërtetën.
Raporte të huaja të rrjedhura në mediat në Tiranë, tregojnë se prokurorja e Tiranës e cila hapi çështje për Lulzim Bashën, kërkoi në rrugë zyrtare dëshminë e Nick Muzin. Sipas këtyre raporteve ajo erdhi në ambasadë dhe nuk u dorëzua në Prokurori, por u përdor për të marë peng të themi Lulzim Bashën. Sigurisht këto do sqarohen me kohë. Por unë nuk e dija se Lulzim Basha ka bërë transfertë absolutisht të kundërligjshme. Më vonë zërat janë të qarta. Por unë i kam besuar plotësisht atij. I kam besuar dhe jam gënjyer.
Vijmë të dosja Toyota Yaris. Është pak më ndryshe kjo dsoje. Siç e dini ju, në qiell të hapur, ngrihet një ditë në parlament dhe i thotë Taulant Ballës se do të të vijnë ty, me një seri Toyota-sh 5 milion euro.Janë në adresë tuaj. Kjo ishte e çuditshme. Ishte diçka konkrete. Do vijnë me Toyota Yaris dhe do vijnë 5 milion. Po si mund të thuhet kjo, të premten për të shtunën, kohë kur ata që do vinin mund të devijonin rrugën dhe mund të mos vinin fare. Dhe kjo ishte si të dështoje ardhjen e tyre. Dhe unë e pyes, më thuaj pak, ç’është kjo, kush ta ka thënë ty? A rrezikon kjo që të mos vijnë tani? Se kjo është e dhënë shërbimesh, o shërbimesh kriminale, o shërbimesh inteligjente e të antidrogës. Si qenka kaq e saktë kjo gjë? Më thotë që më mori në telefon një kamarier, nga një restorant i huaj, gjëra të tilla. Po i them ata mund të kthehen e nuk kapen. Eshtë t’i ndihmosh ata. Jo më tha, se ndiqen me GPS. Një “giallo” e vërtetë. Për çudi, ata nuk e devijuan fare rrugën, ndonëse e morrën vesh lajmin, erdhën direkt në Durrës. Jo me 5 milion, por me 3.5 milion. Gjë e cila ishte një habi e madhe, se si ata as i njoftoi kush dhe ata nuk u trembën dhe erdhën drejt e në port. I thashë çfarë ndodhi kështu? Nuk e di tha, por tha erdhën.
Marr vesh që vijnë hetuesit belg. I them, çfarë do u thuash?. Duhet të flasësh, i them unë, se kjo ngre shumë dyshime se mos janë klane rivale që njëri klan të njoftoi ty për të dëmtuar klanin tjetër dhe ti je bërë palë, dashje pa dashje në një intrigë kriminale, ose pastaj ngre dyshime se mos ti ke afera me Taulantin. Jo tha, nuk flas me ta.
Si përfundim kanë çuar 4 ose 5 letër porosi hetuesit belg, dhe zotëria nuk u përgjigjet. Kjo përbën një gjë shumë të rëndë për mua. Dhe thotë tani, ma përmend dhe Rama. Rama ja përmend se e mban peng, se Rama i di të gjitha, se unë kaq di, nuk di më shumë. Por di që ai duhet të zbardhë këtë çështje se nuk e futa unë në këtë çështje, u fut vetë nga detyrime apo qëllime të caktuara.
Zëri i Amerikës: Siç shihet dhe nga ato që ju tregoni. Ju duket që keni patur kontakte të vazhdueshme me zotin Basha. Përsa kohë ndodhën disa humbje, përse ju nuk ndërhytë më parë?
Z. Sali Berisha: Së pari në 2017-2n unë I kam kërkuar atij të japë dorëheqjen dhe ai me tha që nuk e jap, Të shkoja më tutje do të duhej të rikthehesha. Isha i vendosur të mos rikthehesha. Bëri një garë sic e bëri. Kaloi në disfata të tjera elektorale. Erdhëm te zgjedhjet e 2021.
Unë kam punuar ngushtë me kompaninë e konsulencës që zoti Basha kishte marrë. Një kompani shumë e mirë. Çfarë e këshillova kompaninë? I kërkova duke i thënë se Lulzim Basha është një lider i thyer, dhe ua shpjegova se çfarë kuptoj unë me lider i thyer. Dhe ata nuk e kundërshtuan mendimin tim. U thashë se ju dhe mund ta ngjisni. Jeni arkitektë për këtë punë. Dhe uroj që ta ngjisni. Por nëse 4 muaj para zgjedhjeve ai nuk është ngjitur, se dilte në Poll-e nën PD-në, vazhdimisht, atëherë ju lutem, lereni kryetarin, të ngjisim partinë. Të ndjekim modelin francez të François Hollande, i cili u tha francezëve “unë jam zotëria normal”, se i dilte Sarkozy lider, dhe ai nuk dilte. Dhe fitoi zgjedhjet në atë formë.
Lulzim Basha gjer ditën e fundit, bëri gjithshka që të liderizohej. Dhe përfundoi në greminë me vetëm një të pestën e zgjedhësve të PD-së ta njohin për lider. A ja kam thënë unë këto gjatë fushatës Lulzim Bashës. Që të gjitha, pa përjashtim, në mënyrë të përsëritur.
Doli me tezën se “kam anëtarësuar Shqipërinë në Nato”. I them, thuaje sa të duash, por publiku do të përqeshë dhe gazetarët do të të telendisin. Dhe e mbajtën 24 minuta me këtë deklaratë. Nuk mund t’u themi njerëzve gjëra që s’janë. Mirëpo ai vazhdonte idenë e liderizimit.
Unë çfarë kam bërë? Duke dyshuar shumë se ky mund të bojkotonte zgjedhjet, për shkak të mosmarrëveshjeve që mund të gjente për Kodin zgjedhor. Kërkesa ime e prerë, për ata që merreshin me teknalitetet, ka qenë që PD duhet të marrë pjesë në zgjedhje patjetër. Dhe aty e bëra të qartë, se nuk mund ta imagjinoja që pasi dogjëm mandatet mund të mos merrnim pjesë në zgjedhje. Dyshoja se ishte i gatshëm. Dyshoja
Zëri i Amerikës: Ju, sipas asaj që ka thënë dhe zoti Basha, e keni mbështetur djegien e mandateve?
Sali Berisha: Absolutisht e kam mbështetur në këtë formë që dhe është bërë publike. Ky mendoi se përmes djegies së mandateve shoqëria shqiptare do polarizohej deri në atë shkallë sa të rrëzonte Edi Ramën. Në atë mbledhje I kam thënë se mund të shkojmë në fitore, por mund të përfundojmë dhe në greminë. E dyta, me komunitetin ndërkombëtar do të kemi problemet më serioze. E ndihmoi Edi Rama, se po të mos ekzekutonte vendimin brenda 24 orëve Edi Rama, PD ose hynte në parlament, duke anulluar vendimin, ose përjashtohej nga EPP-ja. 100 përqind kjo që them. Mirëpo Edi Rama nuk i dha askurrkujt kohë që të bënte ndërhyrjen më të vogël se e ekzekutoi vendimin dhe ky më pas thonte nuk e anulloj dot vendimin e Edi Ramës.
Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, ju keni thirrur një kuvend të demokratëve më 11 Dhjetor. Jeni shprehur se kjo nismë synon rikthimin tuaj për drejtimin e PD. Çfarë të ardhme i ofrohet një force politike, drejtuesi i së cilës është i shpallur “non grata”, që ka pra një llogari të hapur me Shtetet e Bashkuara, partnerin kryesor të Shqipërisë?
Sali Berisha: Një force politike që ka liderin të përcaktuar non grata nga Shtetet e Bashkuara bazuar në prova, fakte dhe dokumente të vërteta ka problemet më serioze, nëse ajo ka një lider të tillë. Por një forcë politike, që ka të dezinjuar kryetarin e saj krejtësisht për motive politike non grata, pra, pa asnjë provë, fakt dhe dokument, ajo forcë politike i bën një shërbim të madh vendit të saj dhe të vërtetës universale në tërësi, sepse qëndron në anën e të vërtetës.
Që në momentin kur Departamenti i Shtetit të nxjerrë një provë të vetme, në të cilën të faktojë se Sali
Berisha ka keqpërdorur fondet publike, ka ndërhyrë në procese publike për pasurimin e tij, të bashkëshortes së tij, fëmijëve të tij dhe të aleatëve, ka përdorur retorikën për të mbrojtur veten e tij, fëmijët e tij dhe aleatët nga hetime anti-korrupsion, unë i pranoj që të gjitha të mirëqena, të marrë çdo vendim. Por nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston kurrë një provë e vetme e keqpërdorimit, por përkundrazi ka marrë lavdërimet më të madhe në luftën kundër korrupsionit. Nuk ka ekzistuar kurrë një proces kundër familjarëve të mi, ose Sali Berishës, që të mund të përdoret në retorikën për mbrojtje. Nuk ka ekzistuar kurrë një proces publik që unë të kem ndërhyrë për pasurimin tim apo të familjarëve të mi. Çfarë është kjo? Kjo është mirrëfilltas e bazuar në lobimin e Edi Ramës dhe Xhorxh Sorosit, të cilin unë e kam dënuar që në fillim. Sali Berisha është i vetmi person në planet që është ndëshkuar me non grata tetë vite pas ka hequr dorë nga çdolloj lidershipi dhe çdo funksion ekzekutiv. Ai nuk ka firmosur, përveç borderosë së tij, në asnjë dokument tjetër zyrtar të këtij shteti në tetë vite. Sali Berisha është rast unik, sepse ndëshkohet me këtë masë në një kohë kur kurrë në jetën e tij 53 vite, përfshirë edhe vitet e
diktaturës, nuk ka patur një akuzë të vetme, asnjë padi të vetme nga një qytetar apo institucion për korrupsion apo keqpërdorim fondesh. Sali Berisha është i vetmi person, i cili ndëshkohet tre javë pasi partia e tij humbi zgjedhjet, me qëllimin makabër për të mposhtur tërësisht nga Edi Rama opozitën shqiptare. Cilido që gjen një rast të njëjtë me Sali Berishën unë do ia pranoj. Por ky rast nuk ekziston. Ky u bë unik vetëm e vetëm pse unë që në vitin 2017 e në vazhdim kam kërkuar shpalljen non grata të multimiliarderit Xhorxh Soros. Dhe unë prapë kërkoj dhe do të kërkoj që Kongresi i SHBA-ve dhe Parlamenti Europian të bëjnë ligj për të ndaluar veprimtarinë e tij politike në demokracitë e brishta. Imagjino për një moment sikur Xhef Besos apo Tim Kuk apo Elon Mask të vendosin të përdorin miliardat e tyre për të blerë demokracitë, nuk do të ngelej harta e demokracive veçse një grusht vendesh të dikurshme, ndërsa demokracitë e reja do të shuheshin nga këto veprime.
Zëri i Amerikës: Por ju e njihni shumë mirë politikën amerikane. Ju e dini shumë mirë që vendimet që merren nga Departamenti nuk janë vendime personale që merren nga një apo dy persona?
Z. Sali Berisha: E tha zoti Blinken se është bazuar në raportet e NGO-ve, siç është Delina Fico, një emër që e kanë nxjerrë të tjerë, se unë nuk e dija, por ajo qenka, të sponsorizuara tërësisht nga Soros. A ju kujtohet ju historia ime me Bankën Botërore, se si e mashtruan Bankën Botërore dhe ajo prodhoi një raport kryekëput të pavërtetë dhe erdhi këtu dhe kërkoi publikisht të falur pas një viti në një konferencë shtypi zëvendës presidenti i saj? Vepër e ngo-ve të Sorosit ishte ajo. Ishte, thotë Blinken, nga mediat të cilat fabrikojnë dhe u morën një vit rresht me fabrikime, për të cilat janë në gjyq sot me personat që kanë shpifur ndaj tyre të anturazhit tim, si raportet investigative anti-korrupsion të qeverisë.
Më thoni ju, se ju jeni këtu, një raport të vetëm që qeveria shqiptare ka bërë publik një raport të saj për korrupsionin e Sali Berishës. Ka dërguar në prokurori për shqyrtim Engjëll Agaçi me dhjetëra vendime qeverie dhe janë rikthyer që të gjitha korrekt me ligjin. Unë kam zbatuar gjithë jetën time ligjin, ligjin dhe vetëm ligjin.
Ndaj edhe është siguria ime absolute se ky vendim është kryekëput politik, i diktuar nga lobimi korruptiv Rama – Soros për shkak të denoncimeve që unë i kam bërë Xhorxh Sorosit për dy arsye themelore, siç i dini ju: Së pari paraqitjen me petkun e tij të OSF-së së Beogradit të projektit për shkëmbimin e territoreve dhe ndarjen e Kosovës de facto, të cilin Milosheviçi e sillte pothuajse çdo tre muaj përmes ndërmjetësve të rajonit dhe që refuzohej në mënyrë kategorike jo vetëm nga unë por edhe nga qeveria e Shteteve të Bashkuara para së gjithash. Natyrisht ai projekt qe shumë I rrezikshëm. Jam shumë mirënjohës që presidenti Biden përcaktoi me dekrete të tij sanksione për ata që promovojnë më këtë projekt. Në fakt kishte në administratë nga Methju Palmer tek Xhon Bolton, të cilët ishin për këtë projekt, siç dihet. Dhe sigurisht zemërimi i tyre ndaj Sali Berishës ishte shumë i madh, për arsye se projekti ishte paraqitur si i ujdisur me të gjitha forcat politike në Kosovë dhe në Shqipëri, ndërkohë që ai ishte i ujdisur vetëm midis dy personave, Hashim Thaçit dhe Edi Ramës.
Zëri i Amerikës: Atëherë pse e njejta administratë, vë sanksione ndaj atyre që janë për ndryshimin e kufijve në Ballkan, dhe merr këtë vendim ndaj jush, që ju thoni se është marrë pikërisht sepse ju kundërshtonit ndryshimin e kufijve?
Z. Sali Berisha: Sepse ishte i njejti person, Xhorxh Soros. Kjo fakton pikërisht atë që them unë: Ishte pikërisht multimiliarderi Soros që i dogji shumë djegia e projektit. Duke lënë modestinë mënjanë, unë isha efiçient në kundërshtimin e tij, sepse njëri pas tjetrit udhëheqja politike e Kosovës, pas prononcimit tim, u prononcua dhe e kundërshoi projektin.
Së dyti, ishte reforma në drejtësi. Unë u kam thënë shqiptarëve të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Reforma në drejtësi, e ideuar, e sponsorizuar, e hartuar nga truri i ekspertëve të formuar nga Xhorxh Soros, solli një katastrofë të vërtetë në Shqipëri. Ata nuk guxojnë ta thonë, por po e them unë: Poll-i i fundit i EuroNews-it nxori se vetëm 6 për qind e shqiptarëve besojnë se kostoja e saj ishte e vlefshme për t’u ndërmarrë. 14 për qind e shqiptarëve që nuk votojnë thonë se kjo reformë ishte e mirë ndërsa 32 për qind thonë se kjo reformë ishte një shkatërrim. 25 për qind e të gjithë shqiptarëve pranojnë se kjo reformë ishte sukses, pjesa tjetër se kjo reformë ishte katastrofë ose nuk shprehen për të.
Pra, u sponsorizua një reformë, në krye të të cilës u vendosën si kurrë më parë militantë të Partisë Socialiste, ish ministra të Partisë Socialiste, ish prokurorë të diktaturës komuniste në krye të institucioneve të reja të drejtësisë. U bë një vetting dhe unë e kam ngritur disa herë. Cili është vettingu i Sokol Sadushit? I Ervin Pupës? I Ilir Pandës? Njerëz të Gjykatës së Lartë? Askush nuk e di. Në të njëjtën kohë Kushtetuta kërkon që vettingu duhet të jetë publik, i publikuar. Vettingu i tyre mbahet sekret, sepse ata mbahen peng, siç u faktua me dosjen Tahiri. Dosja Tahiri iu hoq një trupe dhe iu dha pikërisht kësaj trupe, në mënyrë që të shpërbënin dosjen. I kërkova kryetarit të Partisë Demokratike ta denoncojmë, se ne opozitë jemi. Ti nuk mund të mbash të fshehur vettingun e disave, ndërkohë që të tjerët i dërgon për ndjekje penale për të njëjtat mëkate. Kryetari i opozitës, duke patur problemet e veta, nuk e bëri kurrë atë.
A mund të shpallet Ardian Dvorani kampion botëror në luftën kundër korrupsionit në një kohë kur në dosjen zyrtare të tij ka këto të dhëna: 1. Kur ishte anëtar i bordit të Albtelekomit, Albtelekomi i blen një apartament, porosit një apartament për të. Dvorani, në proces e sipër paguan gjysmën e tij, ndërsa 17 mijë euro ia paguan Albtelekomi kur u privatizua. Çfarë ndodhi prapa? Janë 9 vendime gjykatash kundër institucioneve shtetërore në favor të Albtelekomit të dhëna nga Ardian Dvorani, gjykatës i lartë. Për të mos thënë harresën e 82 mijë eurove të padeklaruara. A nuk është ky një mashtrim i bërë Departamentit të Shtetit për një figurë të tillë, i cili e ka vendin në burg për këto veprime dhe jo të shpallet kampion botëror në luftën kundër korrupsionit?
Kam konstatuar se ndikimi i Sorosit në diplomacitë lokale është jashtëzakonisht i madh. Kam bindjen se qëndrimi i dyfishtë e dëmton politikën e SHBA-ve. Se ka një politikë Soros, të cilën, pa diskutim, që ka diplomatë që angazhohen në zbatimin e saj, sikundër ka një politikë tjetër të Departamentit të Shtetit, e cila është për paqen, stabilitetin dhe mirëkuptimin. Unë do të marr si shembull vetëm Ballkanin e Hapur. Sot kjo është një aleancë trilaterale Beograd – Shkup -Tiranë. Ballkanin e Hapur nuk e pranojnë, e refuzojnë, me të drejtë a me të padrejtë, Bosnja,Kosova dhe Mali i Zi. Çfarë ndodh në çdo takim? Treshja Vuçiç – Rama – Zaev lëshojnë rrufe kundër boshnjakëve, kosovarëve dhe malazezëve. A i shërben kjo paqes, stabilitetit dhe mirëkuptimit në rajon? Absolutisht jo. Unë e kam lexuar deklaratën e plotë të Departamentit të Shtetit, e cila është shumë e drejtë, e cila përcakton që Ballkani i Hapur duhet të funksionojë me gjashtë vendet dhe me disa kritere, i kishte të rreshtuara, të Bashkimit Europian. Por kur kjo nuk ndodh, Ballkani i Hapur është i dëmshëm. Emisarët europianë, Angela Merkel, Ursula von der Leien, kanë qenë shumë të qartë se nuk mbështesin Ballkanin e Hapur, por mbështesin Procesin e Berlinit. I thashë këto shembuj, se unë gjykoj se nuk janë në linjë të zhdërvjelltë me politikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Zëri i Amerikës: Të kthehemi pak te Kuvendi Ii datës 11. Çfarë do të ndodhë. Sepse kemi në anën tjetër zotin Basha që thotë se nuk e njeh…
Z. Sali Berisha: Kuvendi i datës 11 dhjetor mblidhet në përputhje të plotë me normat statutore.
Statuti i Partisë Demokratike parashikon të drejtën e ¼ të delegatëve të PD-së për të mbledhur Kuvendin. Nuk janë mbledhur 2 mijë firma, por janë mbledhur 4 mijë e 200 firma të dorëzuara, por deri tani po shkojnë drejt 5 mijë firmave, në mënyrë që Kuvendi të ketë jo vetëm firmat për t’u mbledhur por të ketë edhe maxhorancën. Arritja e maxhorancës e tmerron zotin Basha. Ai e di se aty ka humbur çdo dava, ndaj ai ka zgjedhur mohimin e firmave.
Ai ka ndërprerë çdo komunikim me anëtarësinë, e tani së fundi mbylli për komente edhe Facebook-un edhe Twitter-in e tij, një akt që nuk e kisha dëgjuar kurrë. Nuk mund t’i bëhen më komente dhe i bllokoi nga frika e komenteve.
Në rast se në një asamble, Kuvendi thirret jo nga përfaqësia por nga anëtarësia, atëherë përfaqësia shndërrohet vetvetiu thjesht në anëtarësi. Zoti Basha është i ftuar, se është anëtar Kuvendi, është i mirëpritur, po të dëshirojë të vijë, po të mos vijë, mungon dhe nuk ka ndonjë pasojë. Natyrisht Kuvendi do të marrë të gjitha masat për të rikthyer votën e lirë në Partinë Demokratike, për të rikthyer organet funksionale të Partisë Demokratike dhe jofiktive, për të rikthyer pushtetin tek anëtarët e Partisë Demokratike, primaret e vërteta dhe jo primaret me seleksion negativ, që vendosi Lulzim Basha.
Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, jemi përballë këtij realiteti, ju do mblidhni një Kuvend më 11 dhjetor. Zoti Basha në 18 dhjetor. Si ju do arrini të impononi vendimet që do merrni?
Z. Sali Berisha: Ai është një anti-Kuvend. Atë nuk e bëri Ramiz Alia në vitin 1990. Është një nga aktet më të turpshme në historinë e një vendi. Mund të garantoj që Lulzim Bashës masivisht po i refuzojnë firmosjen e një formulari që ka shpërndarë, i cili të rikujton sistemin e patronazhistëve të Edi Ramës.
Zëri i Amerikës: Po atëherë kjo do të shkojë në çështje gjyqësore, si do ndahet?
Z. Sali Berisha: Jo nuk do të shkojë në çështje gjyqësore. Kuvendi ka të drejtë të shkarkojë
kryetarin. Në rast se Kuvendi shkarkon Lulzim Bashën, nuk ka gjykatë në botë që e rikthen atë
në krye të Partisë Demokratike.
Zëri i Amerikës: Po a e parashikon statuti? Mesa kam lexuar parashikon shkarkimin me propozim të Këshillit Kombëtar…
Z.Sali Berisha: Absolutisht jo. Me propozim të Këshillit Kombëtar në qoftë se Këshilli Kombëtar thërret Kuvendin. Por këtë Kuvend nuk e ka thirrur Këshilli Kombëtar, e ka thirrur anëtarësia. Në këtë rast Kuvendi ka të drejtë të zgjedhë një këshill kombëtar të ri, ka të drejtë të plotë të zgjedhë një kryetar të ri, ka të drejtë të shkrijë partinë. Kuvendi i Partisë Demokratike ka të drejtë të shpallë të shkrirë Partinë Demokratike, sipas statutit që ka formuluar dhe votuar vet Lulzim Basha. Nuk ekziston asnjë nen, asnjë klauzolë, që të detyrojë 2 mijë firmëtarë që të depozitojnë pranë Sekretarit të përgjithshëm, apo pranë dikujt tjetër, firmat e tyre.
Zëri i Amerikës: Por ka një rregullore, zoti Bardhi ka thënë se është një rregullore e vitit 2009 e miratuar në kohën tuaj
Z. Sali Berisha: Është një trillim i tyre. S’ka asnjë vlerë. Regulloret janë nënakte. Po ra kushtetuta bie çdo nënakt.
Zëri i Amerikës: Kushtetuta ende nuk ka rënë.
Z.Sali Berisha: Totalisht Ai ka depozituar në gjykatë Statutin e vitit 2018. MUnd të shkoni në gjykatë e ta merrni, kurse ndërtimin e ka bërë me Statutin e vitit 2021. Por Statuti i vitit 2018 ka rrëzuar gjithçka para saj. Është njëlloj sikur unë të përdor ligjet e diktaturës komuniste apo të një sistemi tjetër. Basha ndërtoi Kushtetutën e vet (Statutin e ri), dhe në Kushtetutën e vet nuk ka shkruar asnjë fjalë, nuk ka bërë asnjë rregullore për këtë çështje.
Ai ka të drejtë të caktojë njerëzit dhe të vijë e të verifikojnë një për një delegatët, numrin e atyre që e kanë thirrur, kuorumin në Kuvend, të sjellë sekretarin organizativ dhe të verifikojë një për një firmat e atyre që kanë firmosur. Nëse ne nuk i bëjmë dot publik, se nuk na lejon Kushtetuta dhe ligji për të dhënat personale, as Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, por nuk na pengon asgjë për të bërë transparencën. Edhe ju, ekipi juaj jeni të ftuar të verifikoni çdo firmë që është vendour aty.
Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, ju flisni për ndryshime statutore, për parimin e votës, megjithatë, dy javë më parë deklaruat se nisma juaj synon ndër të tjera, dhe po ju citoj rikthimin e Sali Berishës si kryeministër i ardhshëm i Shqipërisë. Atëherë ku është gara, ku janë primaret, kur ju e shpallni që tani që do jeni ju drejtuesi…
Sali Berisha: Çfarë synon Sali Berisha? Synon të sigurojë kushte për një garë të ndershme dhe të
vijë cilido demokrat dhe të garojë për kryetar të Partisë Demokratike.
Zëri i Amerikës: Por a duhet t’i garantojë statuti dhe jo ju?
Z. Sali Berisha: Sigurisht statuti i garanton dhe i ka të garantuara, por do t’i garantoj edhe unë, që nuk do të përdoret autoriteti im për të pushtuar hapësirën e rivalit tim, apo rivalëve të mi. Kjo është garancia ime, se garancia ligjore është në statut. Nuk mund ta mohoj se unë kam një autoritet në këtë forcë politike dhe ai nuk do të përdoret. Domethënë të gjitha kushtet që do të përcaktojnë rivalët në një garë unë do t’i pranoj me kënaqësi.
Zëri i Amerikës: Ju flisni për një Kuvend të bashkimit. Zoti Basha po ashtu për një Kuvend të bashkimit, ndërkohë që si po rrjedhin ngjarjet vetëm te bashkimi duket se nuk po shkohet. Dhe duket madje se e vetmja zgjidhje, i vetmi përfundim do të jetë çarja e PD…
Z. Sali Berisha: Ne flasim për një kuvend bashkimi dhe nëse ju ndiqni foltoret, ju mund të shihni aty bashkimin si realitet, ku po afrohen nga themeluesit e Partisë Demokratike deri te anëtarët më të rinj të saj. Dhe kjo është e vërteta. Por nga ana tjetër, nuk e mohoj se ka një përqindje që ende nuk ia kanë hequr besimin Lulzim Bashës. Ç’po ndodh? Kjo përqindje po zvogëlohet në progresion gjeometrik çdo ditë. Të dhënat e poll-it të fundit ishin katastrofale. Po shkonte drejt 10 për qindshit. Ju garantoj që gjer në Kuvend ai do të shkojë drejt 1 për qindshit. Megjithatë, për mua edhe ai 1 për qind ka vlerë dhe e ftoj të vijë. Ai ka një rënie në pikiatë, një rënie të lire. Kjo ndodh se shumica e demokratëve, sipas atij Poll-i, besojnë se Lulzim Basha po kombinon me Edi Ramën. E besonin, e ndjenin. Sot, shumica, 80-90 për qind e demokratëve shohin se me të nuk fitohen zgjedhjet.
Zëri i Amerikës: Zoti Berisha a është një opsion për ju një forcë e re politike?
Z. Sali Berisha: Kurrë jo. Përkundrazi, rithemelim i Partisë Demokratike, shndërrimi i saj në një opozitë të vërtetë, për të cilën ka nevojë jetike vendi. Gjithë kjo gjë që u bë, ndëshkimi i Sali Berishës tre javë pasi humbi zgjedhjet, nuk kishte qëllim tjetër, vetëm për të ndihmuar Edi Ramën dhe për të shndërruar opozitën në një fasadë opozitë, por kjo dështoi në mënyrë përfundimtare./ VOA
Top Channel