Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha këtë të enjte është ndalur tek vettingu në politikë, duke deklaruar se vjen si shpagim për shqiptarët që kërkojnë fundin e pandëshkueshmërisë në nivele të larta të klasës politike.
Nga foltorja e Kuvendit, Basha tha se korrupsioni lejon që paketa fiskale dhe buxheti të bëhen në mënyrë jo transparente dhe në mungesë totale të konsultimit me qytetarët dhe me grupet e interesit.
“Është korrupsioni që lejon që qeveria që merr borxhin më të madh në tre dekada, qeveria që rrit taksat më shumë se të gjitha parardhëset, qysh prej kohës që regjistrat e shtetit mbaheshin në osmanllisht, të jetë mospërfillëse ndaj kërkesave dhe nevojave elementare të qytetarëve dhe sipërmarrjeve, dhe të kujdeset vetëm për veten e vet dhe për klientët e vet. Është korrupsioni që pengon investimet e huaja të vijnë në Shqipëri në nivele të ngjashme me ato të rajonit”, tha Basha.
Kryedemokrati tha se zgjidhja që Partia Demokratike ka dhënë në lidhje me këtë fenomen është vettingu në politikë, duke theksuar më tej se është një projekt që kërkon vullnet, mbështetje dhe burime njerëzore. Ai tha se një projekt i tillë nuk është një punë shtesë.
“Është një mision, një angazhim kombëtar që kërkon vullnet, nga politika, nga drejtësia dhe nga shoqëria. Një angazhim madhor, ndoshta më madhori në këto 30 vite pluralizëm që do të shënojë ndarjen përfundimtare me politikanët e inkriminuar dhe të korruptuar”, tha ai.
Basha theksoi se PD ka propozuar edhe zgjidhjet me anë të të cilave mendohet t’u vihet në ndihmë institucioneve të paralizuara të drejtësisë, me qëllimin që t’i jepet fund pandëshkueshmërisë.
“Për shqiptarët që kërkojnë fundin e pandëshkueshmërisë në nivelet e larta, që janë lodhur së paguari faturat e korrupsionit 30 vjeçar të politikanëve që kanë abuzuar me pushtetin e tyre, të qytetarëve që janë varfëruar duke paguar dëmet e prodhuara nga politikanët e papërgjegjshëm, vettingu në politikë përfaqëson shpagimin e merituar për kohën e humbur dhe për vonesën shqiptare në ngushtimin e distancës që na ndan nga Europa”, tha ai.
Arben Kraja ka kundërshtuar të mërkurën kërkesën e Partisë Demokratike që vettingu i politikanëve të kryhet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK).
Sipas kreut të institucionit, SPAK nuk mund të përfshihet në këtë çështje pasi krijon njëanshmëri.
“Ne kemi kaluar një eksperiencë që unë e konsideroj negative vitin e parë të punës tonë me të ashtuquajturën akte normative apo OFL. Ishte pikërisht një situatë e tillë, një detyrë e ngarkuar me ligj e cila na shfokusoi nga objekti i punës sonë”, tha Kraja.
“Në këtë sens unë do ta vlerësoja jo të përshtatshme përfshirjen e Prokurorisë së Posaçme në realizimin e kësaj detyre. Pa diskutim do krijoj problematik në objektivitetin e një vendimmarrje. Parimisht jam kundër për përfshirjen e Prokurorisë së Posaçme në realizimin e këtij procesi administrativ”, shtoi ai.
Ky qëndrim nuk u prit mirë nga demokratët.
“Prisja tjetër përgjigje nga drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme. Duke qenë se përfaqëson një institucion që ka si mision luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionin. Jam i surprizuar që SPAK refuzon përfshirjen në një proces që lufton krimin dhe korrupsionin”, tha Gazmend Bardhi, sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike.
Top Channel