Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi më në fund e ka gjetur kohën për të komentuar vrasjen makabre të 8-vjeçarit Mateo.
“Edhe pjesa e fëmijëve është shumë e rëndësishme për mua, e para ndjesë se të rreh zemra kur flet për ngjarje të rënda, duhet t’i shpreh ngushëllimet e mia familjes dhe kuptoj se kjo është pjesa me e rëndësishme që ne të gjithë duhet ta themi për momentin. Për sa i përket politikave apo gjërave që duhet të bëjmë për këtë fushë është ndoshta jo momenti i duhur për të folur,kjo s’do te thotë se s’po merremi apo angazhohemi aktivisht, do kohën e vet për të arritur në konsensus dhe uroj që ngjarje të tilla mos ndodhin në Shqipëri”, tha ajo.
Ndërsa u pyet për birësimin e fëmijëve nga komuniteti LGBT, prindërit e vetëm dhe ata nën 35 vjeç ajo tha: Mendoj që birësimi është një gjë kaq e bukur dhe është fantastike kur ti mund t’i japësh një fëmije, kur nuk ka dashuri njerëzore dhe pastaj pjesa tjetër duhen diskutuar, menduar por e rëndësishme është që s’ka gjë më të bukur se birësimi.
Sa i përket pyetjes nëse kanë qenë në fokus fëmijët dhe studentët në dy mandatet e mëparshme apo lindi ideja tani në mandatin e tretë, ajo u shoh se fëmijët kanë qenë gjithmonë në fokus.
“Mendo që të rinjtë kanë qenë gjithmonë në fokus, patjetër që duhet të jenë. Mendo faktin që tani ne kemi një ministri që tani ka në fokus të veçantë rininë dhe fëmijët, kemi mundësinë t’i japim fokus me të madh se çfarë është bërë më parë.
Mendoj se pjesa e rinisë ka qenë gjithmonë pjesë e ministrive të tjera, unë kam qenë vetë zv.ministre rinie në të shkuarën e nuk do të thotë se nuk ka pasur në fokus. Do jetë fokus më i shtuar”, tha ministrja.
Sa i përket pjesëmarrjes së ulët të studentëve në takim, ajo tha se mblidhen me grupe për të respektuar masat anticovid.
“Studentët mblidhen me grupe për masat e Covid, patjetër është ora 16:30 dhe mund të ndodhë që jo të gjithë nxënësit të jenë prezent. Grupet e mia janë 20-35 studentë ky është rregulli që unë zbatoj”, tha ajo.
“Ka ndikuar ajo fjalia që nuk keni pasur kohë?”, e ka pyetur gazetarja.
Ndërsa Muzhaqi i është përgjigjur me ironi se të rinjtë e kuptojnë më shumë se gazetarët.
“Dyshoj qe ky është rasti, sepse të rinjtë më kuptojnë më mirë se gazetarët”, tha ministrja.
Kujtojmë se Muzhaqi refuzoi të fliste ditë më parë për ngjarjen pasi u pyet nga gazetarët nëse kishte një koment për ngjarjen tronditëse, ku i mituri u vra mizorisht nga fqinji i tij, Klodian Çalamani, edhe pse është ministre e fëmijëve dhe rinisë.
Pasi u pyet se çfarë masash konkrete janë marrë në lidhje me rastet e abuzuara, përgjigja e ministres ishte kjo: “Unë jam shumë vonë dhe më duhet të lëviz, ju kërkoj shumë ndjesë”.
Pas kritikave ka reaguar vetë ministrja Muzhaqi, e cila me një postim në ‘Facebook’ kërkoi ndjesë nëse ka lënë shteg për keqkuptime, duke shtuar se është thellësisht e prekur si të gjithë nga tragjedia e Fierit.
Top Channel