Mazhoranca socialiste ka miratuar këtë të mërkurë pa praninë e anëtarëve të opozitës planin hetimor për zgjedhjet e 25 prillit.
Plani paraprak i opozitës u pasurua edhe me disa kërkesa nga mazhoranca lidhur me Strukturën e Mbrojtjes së Votës në zgjedhjet e 25 prillit.
Enkelejd Alibeaj gjatë mbledhjes së komisionit hetimor tha se deri më 24 dhjetor do të ezaurohet thirrja e dëshmitarëve për zgjedhjet e 25 Prillit, për të kaluar pastaj tek java e parë e janarit, kohë kur do të duhet të dalin konkluzionet. Ai refuzoi kërkesën e anëtarëve socialistë për të hedhur në votim nëse duhej të thirrej si dëshmitar në Komision kreu i SPAK dhe Prokurori i Përgjithshëm.
Por kush janë dëshmitarët që kërkon të thërrasë PD?
“Edi Rama, Arben Ahmetaj, Bledi Çuci, Belinda Balluku, Ogerta Manastirliu, Frida Krifca, Erion Veliaj, Emirjana Sako, Arben Kraja, Olsjan Çela (Prokurori i Përgjithshëm), Ardi Veliu, Gledis Nano, Artan Lame, Linda Karçanaj (AKSH-i), Shkëlqim Hajdari, Reida Kashta (APP), Sokol Zaimi, Bledar Doracaj, Ardian Çela (OSHEE), Besnik dervishi, Erinda Ballanca (Avokate e Popullit) dhe botuesit Armand Shkullaku dhe Andi Bushati”, tha Alibeaj.
Deputeti i PS-së, Toni Gogu tha se nga kjo listë duhet të përjashtohen drejtuesi i SPAK dhe prokurori i përgjithshëm për shkak se rrethanat në të cilat janë në dijeni të çështjes, nuk janë në përputhje me cilësinë e dëshmitarit.
“Të shtojmë në listën e dëshmitarëve Sekretarin e Përgjithshëm Gazment Bardhi, Xhelal Mziu që ka një deklaratë publike që ka dijeni mbi strukturën e mbrojtjes së votës dhe zonjën Albana Vokshi që ka dijeni sipas deklaratave të saj për këtë strukturë”, tha Gogu.
Në listën e dëshmitarëve u shtuan edhe deputetët demokratë Xhelal Mziu dhe Albana Vokshi. Socialistët thanë se Mziu dhe Vokshi kanë deklaruar se kanë dije për strukturën e mbrojtjes së votës në PD.
Top Channel