Disfata e rëndë me Watford-in në fundjavë solli në mënyrë të pashmangshme edhe shkarkimin e menjëhershëm të norvegjezit Ole Gunnar Solskjaer dhe në mënyrë të kuptueshme kurioziteti për të mësuar kandidatët e mundshëm për rolin e trajnerit të ardhshëm të “djajve të kuq” tani është vërtet shumë i madh.
Për momentin skuadra i është besuar përkohësisht ish-mesfushorit të mirënjohur të ekipit Michael Carrick, që ka lidhur prej plot 15 vjetësh karrierën e tij me “red devils”, praktikisht që kur u transferua nga klubi i Tottenham Hotspur.
Koha fluturon dhe tani krerët e klubit janë në vështirësi të theksuar për të gjetur një zëvendësues për 48-vjeçarin nga Kristiansundi. “Djajtë e kuq” duken në rënie të lirë dhe drejtuesit sigurisht tani janë në betejë me kohën për të gjetur një emër të denjë për t’i besuar ekipin. Aktualisht “red devils” përfaqësojnë pikërisht klubin që paguan më shumë në planet për rrogat e futbollistëve, megjithatë kjo gjë nuk është reflektuar në fushë, kështu që bordi drejtues tani synon një trajner të aftë për të bërë kapërcimin e madh cilësor, me objektivin për të rikthyer ekipin te fitimi i trofeve.
Ndonëse pas një muaji në ditën e ndërrimit të viteve Alex Ferguson do të festojë 80-vjetorin është e qartë që influenca e Fergie-t ndihet dhe shumë madje. Trajneri më i suksesshëm në historinë e kampionatit anglez ka pikë të dobët ish-teknikun e Tottenham-it Mauricio Pochettino. Pas kalimit të Antonio Conte-s te “gjelat e Londrës” është tepër e vështirë për të gjetur trajnerë të lirë, sidomos në një kohë të tillë, prandaj edhe krerët e “red devils” synojnë zgjedhje të tilla.
Emrat që lakohen janë pak a shumë po të njëjtët. Pochettino është favoriti absolut për një post të tillë, megjithëse për hir të së vërtetës trofeun e parë në karrierë si trajner 49-vjecari e fitoi vetëm dhjetë muaj e gjysmë më parë, me një super-skuadër si Paris SG, që mposhti në Trophee des Champions në Qytetin e Lensit, në Superkupën e Francës Olimpikun e Marsejës me rezultatin 2-1. Sezonin e kaluar me Pochettino-n në drejtim PSG dështoi për të mbrojtur titullin në Le Championnat, ndërsa në Champions ekipi parizien u eliminua nga Manchester City. Bashkëshortja dhe familja e tij jetojnë në Londër, në shtëpinë e tyre dhe kjo gjë konsiderohet si një arsye më shumë, për një rikthim të mundshëm të argjentinasit në Premier League, por sidoqoftë në këtë aspekt është më e lehtë për të fluturuar nga Londra në Paris se sa nga kryeqyteti i Mbretërisë së Bashkuar në veri të vendit, në Qytetin e Manchester-it.
Drejtuesit e Manchester United janë të bindur që Pochettino do të lerë Paris SG, për të marrë timonin e “djajve të kuq” dhe në fakt bookmakers-at e kanë ulur deri në 1,2 koeficientin për mundësinë që 49-vjeçari nga Murphy të firmosë për United. Trajneri argjentinas është shumë i pakënaqur me situatën në Francë. Aktualisht ai jeton në një hotel në Paris, por mbi të gjitha Pochettino nuk po arrin dot që të menaxhojë egot e futbollistëve të tillë si Lionel Messi, Kylian Mbappe, Neymar, Gianluigi Donnarumma dhe Sergio Ramos. Një tjetër emër i rëndësishëm është edhe ai i trajnerit irlandezo – verior Brendan Rodgers, që aktualisht drejton ekipin e Leicester City-t.
Me të në drejtim në dy edicionet e fundit të kampionatit anglez “dhelprat” janë përcëlluar pikërisht në javën e fundit, duke hedhur në erë një vend në Zonën Champions që dukej i salduar. Në mesin e muajit maj 48-vjeçari nga Ulsteri ndihmoi ekipin për të fituar të parën FA Cup në historinë 137 vjecare të klubit, ndërsa në fillimin e muajit gusht Leicesteri i tij mundi në Community Shield, pra Superkupën e Anglisë, City-n e Guardiolës. Në Angli është folur shumë edhe për francezin Zinedine Zidane, por Zizuja ka handikapin e madh të gjuhës, për më tepër edhe vetë bashkëshortja e tij Veronique nuk dëshiron të transferohet në ishull.
Mbi të gjitha pas një viti 49-vjecari me origjinë algjeriane synon rolin e seleksionuesit të përfaqësueses franceze, vend që aktualisht mbahet nga Didier Deschamps, ndërkohë edhe nga kryeqyteti francez po shtohen gjithmonë e më shumë zërat për një lloj rebelimi të yjeve të kuqebluve, që kërkojnë patjetër Zidane-n për t’i ndihmuar që të triumfojnë në Champions. Në listën e dëshirave figuron edhe trajneri I Ajaksit Erik Ten Hag, që në Amsterdam ka ditur të ndërtojë një skuadër vërtet shumë të fortë, duke zhvilluar futbollistët e rinj dhe me fare pak para. Nëse do të vendoset për një trajner të përkohshëm atëherë me shumë gjasa skuadra do t’i besohet ish-qendërmbrojtësit të “djajve të kuq” Laurent Blanc, që dy dekada më herët e mbylli karrierën pikërisht te red devils, me të cilët asokohe luajti për dy sezone.
56-vjecari nuk drejton në Kontinentin e Vjetër prej plot pesë vjetësh, që kur la skuadrën e Paris SG, ndërsa për momentin Laurent Blanc është duke punuar në Katar, si trajner i Al Rayyan-it, megjithëse së fundmi është propozuar për mundësinë për të udhëhequr United si trajner i përkohshëm deri në fund të sezonit gjithashtu edhe emri i Steve Bruce-t, që një muaj më parë u largua nga ekipi i Newcastle United. Në fund alternative Ralf Rangnick nuk mendohet si një zgjidhje e mirë, duke pasur parasysh natyrën e tij të hekurt, disiplinën e fortë dhe rreptësinë në punë.
Top Channel