Deputeti i PD-së, Agron Shehaj i ftuar në emisionin Open ka rrëfyer se ka kontrolluar firmat e degëve 5 dhe 7, që ishte drejtues gjatë fushatës elektorale.
Ai theksoi se ka marrë mbi 100 delegatë në telefon, të cilët i kanë konfirmuar ose jo se kanë firmosur.
“Shkova me një qëllim të vetëm të verifikoj se si është e vërteta. Ka një debat të madh, kur firmat janë aty mund të shkoni t’i verifikoni. Unë kam pasur listën e degëve që më është dhënë gjatë fushatës. Unë isha drejtues, 170 delegatë janë në degët 5 dhe 7. Kam folur me rreth 100 delegatë. Janë rreth 170 delegatë, kanë firmosur 58% tek dega 5 dhe 56% tek dega 7. Rreth 170 delegatë, unë nuk kam ardhur për provim. Një sekondë, nga 170 nga të cilët 100 janë nga dega 5, rreth 70 janë nga dega 7, 80%, prej tyre kam folur, 98% më kanë konfirmuar që kanë firmosur. I njoh, kam numrat e telefonit të secilit prej tyre, nga i njëjti më ka marrë, aty e kam marrë, unë prandaj verifikova numrat e degës 5 dhe 7”, tha Shehaj.
Shehaj në një komunikim për mediat të martë tha se do të shkojë në Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Sali Berisha që do të mbahet më 11 dhjetor.
Ai theksoi se mbi 4200 firmat e mbledhura nga foltorja e Berishës janë të sakta dhe të vërteta, duke shprehur anën që do të mbajë.
“Do shkoj në 11 dhjetor se numrat për të thirrur kuvendin janë të vërteta dhe të sakta”, tha Shehaj.
Kujtojmë se deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj më parë u paraqit në zyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD-së, Edi Paloka për të verifikuar një pjesë të firmave të delegatëve.
Në një video të publikuar nga zyra e Palokës, në praninë e kamerave të televizioneve, deputeti demokrat i telefonon një delegati të degës 5-së në Tiranë për ta pyetur nëse firma e vendosur në formularin e dorëzuar nga ish-kryeministri Berisha për të mbledhur Kuvendin Kombëtar të kësaj partie me datë 11 dhjetor ishte e tij.
Nga biseda mes Shehajt dhe delegatit, kuptohet se firma ishte vendosur me vullnet të plotë, ndërsa deputeti vazhdon me telefonatat e tij me delegatë të tjerë, veçanërisht në degët 5 dhe 7 në kryeqytet.
Top Channel