Zaev jep të tjera detaje nga aksidenti tragjik: Kam biseduar me një të mbijetuar, ka ndodhur një shpërthim i fortë

23/11/2021 09:53

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, nga Bullgaria ka folur për aksidentin tragjik ku humbën jetën të paktën 45 persona, ka dhënë detaje të reja në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në autostradën Struma.

Zaev ka treguar se ka folur me një prej të mbijetuarve të tragjedisë, i cili mundi të shpëtojë duke dalë nga dritarja e autobusit.

“Kam mundur të flas me njërin prej të mbijetuarve. Ai i ka thënë se është dëgjuar një shpërthim i fortë, pas së cilës ai dhe 7 pasagjerë të tjerë kanë thyer dritaret dhe kanë arritur të ikin e të shpëtojnë. Viktimat e tragjedisë janë njerëz të vegjël të moshës prej 25-30 vjeç, ka edhe fëmijë. Tragjedia është e madhe. Ne u besojmë kolegëve tanë bullgarë. Nëse ata kanë nevojë për ndihmë, ne jemi të gatshëm t’i ndihmojmë në hetim. Tani gjëja më e rëndësishme është të shohim se si t’i ndihmojmë viktimat,” tha Zaev.

Më tej, Zaev tha se në mesin e udhëtarëve ka qenë një shtetas i Serbisë, gjegjësisht qytetar i Preshevës dhe një shtetas i Belgjikës.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 02:00 sipas orës lokale, në një autostradë pranë fshatit Bosnek në perëndim të Bullgarisë.

Aktualisht vazhdojnë hetimet për zbulimin e shkaqeve të aksidentit dhe shpërthimit në flakë të autobusit.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani tha më herët se autobusi po kthehej për në Shkup pas një udhëtimi nga Stambolli.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA